Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Rritja e Sterlingut në yll të Anglisë

Ishte buzëqeshja e një njeriu të lumtur që e ka të gjithë Anglinë në këmbët e tij. Kur sulmuesi i krahut, Raheem Sterling, e lëshoi një rast të pastër në minutat e fundit të ndeshjes gjysmëfinale të “Euro 2020” kundër Danimarkës, ai nuk e shfaqi dëshpërimin e tij.

Ai ngriti duart lart dhe shfaqi një buzëqeshje rrezatuese të një futbollisti, ëndrra e fëmijërisë e të cilit ishte të bëhej “Mbreti i Wembleyt”. I njohur me nofkën “Raz”, 26-vjeçari Sterling personifikon ndjenjën e argëtimit dhe solidaritetit që ekipi i Anglisë e ka shfaqur në Kampionatin Evropian. Mes djersës dhe mundit, dukej se ai thjesht po shijonte rastin e tij, pavarësisht që po afrohej vërshëllimi i fundit i ndeshjes. Dhe, pas këtij veprimi, interneti ka shpërthyer në dashuri për një lojtar, i cili ishte më i urryer te tifozët e Anglisë pas eliminimit në 1/8 e finales të “Euro 2016”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ylli i Manchester Cityt ka qenë lojtari më i mirë i Anglisë në turne, duke e udhëhequr ekipin në finalen e parë në një turne të madh pas 55 vjetësh. Me 67 paraqitje për Anglinë, Sterling tashmë është një shembull kombëtar si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Muajin e kaluar, Sterling u nderua me mirënjohje për përpjekjet e tij në luftën për barazinë racore. Para ndeshjes me Danimarkën, të cilën Anglia e fitoi 2:1 pas vazhdimeve, kapiteni Harry Kane tha: “Njerëzit mbase e nënvlerësojnë atë si një person dhe si një udhëheqës”.

Ndërkohë, portieri i Anglisë, Jordan Pickford, i cili ka luajtur së bashku me Sterlingun kur ishin adoleshentë, shtoi: “Ai është i njëjti djalosh që ishte kur ishte 16 vjeç. Ai është i shkëlqyeshëm për ta pasur në ekip. Ai është i zëshëm. Ai është një lider në fushë”.

Sa i përket Sterlingut, ai asnjëherë nuk i ka harruar rrënjët e tij, me gjithë ngritjen e madhe që e ka bërë në karrierë. Ai është rritur në afërsi të stadiumit “Wembley” në Londrën Veriperëndimore.

“Unë u rrita nën hijen e ëndrrës sime. Unë pashë stadiumin e ri ‘Wembley’ që ndërtohej, nga kopshti im prapa shtëpisë. Një ditë unë eca jashtë dhe pashë këtë hark masiv në qiell. Unë kam luajtur me top në kopshtin tim, me ëndrrën që një ditë të luaj në këtë stadium. E paramendoja veten duke shënuar dhe festuar”, kujton Sterling. “E dija se një ditë do të luaja aty”.

Pos që ëndërronte të ishte “Mbreti i Wembleyt një ditë”, Sterlingu ka një tatuazh të harkut ikonik të stadiumit, që është i gjatë 133 metra. Tatuazhin e ka në parakrah. Por për të realizuar ëndrrën e tij, ai duhej të luftonte me tragjedinë, varfërinë dhe fatkeqësinë.

I lindur në Kingston të Xhamajkës, Raheem Shaquille Sterling filloi jetën duke ndarë një shtëpi njëkatëshe me tri dhoma gjumi me familjen e tij të zgjeruar me dhjetë persona. Babai i tij, Phillip Slater, u vra me armë zjarri në vitin 1996 në Xhamajka kur Raheemi ishte vetëm dy vjeç, pasi qëlloi gabimisht mes një shkëmbimi të zjarrit të bandave. Sterling më vonë do të thoshte se humbja e babait të tij “formoi tërë jetën time”. Kur ishte katër vjeç, mamaja e tij Nadine Clarke udhëtoi në Mbretërinë e Bashkuar për të krijuar një jetë të re për familjen e saj. Për Raheemin dhe motrën e madhe, Lakima, u kujdes gjyshja Joy Morris.

“Jeta e tij nuk ka qenë e lehtë. Ky ishte një vend i vështirë për t’u rritur, por ai u tregua i mprehtë. Ne nuk kishim shumë para, por ne ishim një familje e lidhur shumë ngushtë dhe ndihmuam njëri-tjetrin në rritjen e fëmijëve”, kujton gjyshja Morris. “Dashuria e tij për futbollin erdhi nga loja që e bënte në pjesën para shtëpisë kur ishte tre vjeç. Ai shqelmonte një kuti kartoni të lëngut sikur të ishte top”.

Raheem dhe Lakima u bashkuan me mamanë e tyre në Londër, ku ajo punoi si pastruese për të ndihmuar në pagimin e një diplome të një kursi.

Sterling kujton se ishte zgjuar në orën 05:00 para shkollës për të ndihmuar nënën e tij të pastronte tualetet në një hotel në Londrën Veriore. Lakima ishte gjithashtu e dobishme për Raheemin që të arrijë ëndrrat e tij, duke udhëtuar me kilometra dhe duke ndërruar tre autobusë për ta çuar atë në stërvitjet e futbollit.

“Mamaja kurrë nuk do të më linte të shkoja vetëm në stërvitje. Dhe, asaj i duhej gjithmonë të punonte, kështu që motra ime do të duhej të më dërgonte dhe të më kthente. I ndërronim tre autobusë. Ne do të niseshim në orën 15:15 dhe do të shkonim në shtëpi në orën 23:00 për çdo ditë. Ajo do të ulej me një kafene dhe do të priste derisa unë të mbaroja stërvitjen. Në atë kohë nuk e kuptova se sa ajo po sakrifikonte, por tani e di sakrificën që ajo e ka bërë për mua”.

Në moshën tetëvjeçare, Raheem u referua në “Vernon House”, një shkollë për fëmijë që kishin telashe me sjelljen. Atij iu caktua si mentor Clive Ellington, për të cilin thotë se i ka meritat më të mëdha që e nisi karrierën si futbollist.

“Kur dolëm për herën e parë në park, e vërejta që Raheemi po shkëlqente më shumë se të tjerët”, thotë Ellington.

Raheemi në atë kohë nuk po luante për asnjë ekip, kështu që Clive e ftoi atë në një seancë stërvitore në klubin lokal “Alpha & Omega FC”.

“Në stërvitjen e parë e kuptuam se e kishim një xhevahir”, pranon ai.

Dhe, ai këmbëngul se Raheemi nuk është motivuar kurrë nga paratë. Sulmuesi u bashkua me QPR-në në moshën 11-vjeçare, kurse katër vjet në vonë u transferua te Liverpooli në një marrëveshje në vlerë prej 500 mijë eurosh.

“Ai ishte një fëmijë shumë i respektueshëm. Ai gjithmonë dëshironte të mësonte dhe të merrte informacione”, kujton legjenda e Liverpoolit, Steven Gerard.

Në vitin 2015, një titullar i rregullt tek Anglia, Sterling kaloi te Manchester City, që pagoi 50 milionë euro. Pak para botërorit “Rusia 2018” ai ishte fotografuar me një tatuazh të pushkës në këmbën e tij të djathtë.

“Kur isha dy vjeç, babai im u vra nga arma. Unë ia dhashë një premtim vetes sime se kurrë nuk do të prekja një armë gjatë jetës sime”, shpjegon Sterling.

Kur të tërhiqet nga futbolli aktiv, Sterling krahas trofeve, do të mbahet në mend edhe për luftën kundër racizmit. Duke qenë subjekt i abuzimit, ai ka përdorur profilin e tij për të bërë thirrje për barazi.

Kur disa tifozë vërshëllyen lojtarët e Anglisë për rënien në njërin gju, ai shprehu zhgënjimin e tij.

Tani, thuhet se Sterling ka një pagë javore prej 400 mijë eurosh. Ai jeton me gruan e tij dhe dy djemtë në një shtëpi në fshatin Cheshire. Ai gjithashtu ka një vajzë tetëvjeçare nga një lidhje e mëparshme.

Kur Anglia arriti në gjysmëfinale të botërorit “Rusia 2018”, Sterlingu nuk e kishte shënuar asnjë gol në këtë turne. Aktualisht, në “Euro 2020”, Sterling apo “Mbreti i Wembleyt” ka shënuar tre gola dhe është i gatshëm për ta ndihmuar vendin e tij ta fitojë trofeun e parë të madh pas 55 vjetësh.