Xhengiz Rexhepi, zëvendëstrajneri i Përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, e ka vlerësuar pjesëmarrjen në Evropian si një prej ngjarjeve më të mira që ka përjetuar prejse është pjesë e futbollit.
I ftuar në emisionin “Sporti Total” në Kohavision, Rexhepi, ish-trajneri i Dukagjinit e i Llapit në Kosovë, nënvizoi se është e jashtëzakonshme kur sheh nivele të ekipeve aq të larta.
“Dhashtë Zoti që çdo futbollist e trajner ta shijoj një gjë të tillë. Një nivel të lartë të futbollit. Ishte një përvojë e mirë në çdo aspekt. Sheh shumë gjëra pozitive që ndodhin në një Evropian, pasi janë 24 skuadrat më të forta, e që e kanë merituar Evropianin. Të jesh për së afërmi me trajner e seleksionues shumë të suksesshëm është mahnitëse pasi e sheh kualitetin që e posedojnë. Sheh taktizime, lojëra ofensive e defensive, ishte një përvojë shumë e madhe”, tha fillimisht Rexhepi, që shton se është shumë e vështirë të përshkruhet me fjalë.
Ai u tregua shumë i sinqertë duke thënë se jemi goxha larg nga ajo që e ka parë për së afërmi në Kampionatin Evropian.
Maqedonia e Veriut ishte debutuese në një Evropian. E siguroi biletën në 60-vjetorin e Evropianëve për herën e parë nëpërmjet Ligës së Kombeve. Në gjysmëfinale e kishte mposhtur Kosovën në Shkup, dhe më pas mposhti Gjeorgjinë.
“Kemi pritur më shumë duke pasur parasysh që me Austrinë dhe Ukrainën kemi pasur forcën të përballemi me ta. Nuk kemi qenë shumë larg sidomos në ndeshjen e parë. Deri në minutën e 78-të kemi pasur rezultat pozitiv. Edhe me Ukrainën kemi pasur lojë të mirë. Holanda ishte me kualitetet më të larta. Kjo ka qenë forca jonë, por kemi pasur mundësi të nxjerrim më së paku një barazim, pse jo edhe fitore”, përfundoi Rexhepi.