Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Për Mourinhon dhe Wengerin penalltia e dhënë në favor të Anglisë ishte gabim

Jose Mourinho dhe Arsene Wenger nuk e diskutojnë që Anglia me meritë kaloi në finale të Evropianit.

Por, të dy trajnerët e futbollit thonë se penalltia e dhënë në favor të Anglisë ishte gabim nga gjyqtari holandez Danny Makkelie.

Mourinho dhe Wenger thonë se gjyqtari do të duhej të kërkonte ndihmën e VAR-it për të marrë vendimin përfundimtar. Anglia në vazhdime, saktësisht në minutën e 104-t fitoi penallti, ku në zonë u pengua Raheem Sterling. Kasper Schmeichel priti gjuajtjen e Harry Kanet, por ky i fundit nga topi i kthyer shënoi për 2:1, rezultat me të cilin edhe u mbyll takimi gjysmëfinale i zhvilluar të mërkurën mbrëma në Wembley.

“Unë them si e shoh, jo si është. Ndoshta nuk ju pëlqen mendimi im këtë herë, por për mua nuk është penallti. Skuadra më e mirë fitoi, Anglia meriton të fitonte, sepse ishte fantastike, por për nuk kurrë nuk ishte penallti”, ka thënë Mourinho për “TalkSport”. Ndërkohë Wenger nuk e kupton se gjyqtari kryesor i takimit nuk kërkoi që ta shikonte vet situatën e krijuar në zonën e Danimarkës. “Një moment si ai është i rëndësishëm që gjyqtari të jetë absolutisht i bindur se ishte një penallti. Nuk ishte aq e qartë sa të thoshte shpejtë ‘Po’. Të paktën ai duhej të kishte një shikim në ekran. Unë nuk e di pse VAR nuk kërkoi nga gjyqtari të shkonte dhe ta shikonte. Për mua nuk ishte penallti. E kuptoj që është e vështirë për gjyqtarin, por ai duhej ta shikonte atë”, ka thënë Wenger.

Anglia në finale të “Euro 2020” do të përballet të dielën në Wembley ndaj Italisë, që eliminoi Spanjën në gjysmëfinale.