Ndërsa Anglia iu gëzua arritjes në finalen e parë të madhe që nga viti 1966, kishte rritje të protestave jashtë vendit për penalltinë e dhënë për një faull ndaj Raheem Sterlingut, në vazhdime, që i dha fitoren ndaj Danimarkës në gjysmëfinale të “Euro 2020”. Një sërë figurash mediatike dhe të futbollit u bashkuan me tifozët danezë duke insistuar se penalltia ishte shumë e lehtë për një ndeshje kaq të rëndësishme. Madje, disa insistojnë se simulimi i Sterlingut ishte shumë i dobët, pasi sulmuesi anglez u rrëzua në prekjen më të lehtë.
“Ata gjithmonë thonë se sa keq është kur një lojtar i huaj përpiqet të mashtrojë gjyqtarin me një simulim. Në futbollin e pastër anglez, kjo nuk ndodh. Përveç, natyrisht, në një gjysmëfinale të Kampionatit Evropian”, shkroi gazeta spanjolle “Marca”. “Do të ishte mirë që futbolli anglez të ndalej së dhëni leksione për pjesën tjetër të kontinentit rreth simulimeve”.
Sterlingu i shpejtë dhe i vrullshëm, i cili është akuzuar për simulim më parë në Premier League, u fut në zonë dhe u rrëzua menjëherë pas kontaktit minimal nga Joakim Maehle. Arbitri holandez Danny Makkelie sinjalizoi për penallti dhe e mbështeti vendimin e tij, pasi u këshillua për një kohë të shkurtër me ndihmën e sistemit VAR, ndonëse nuk u afrua te monitori në fushë për ta shikuar vetë situatën. Gjuajtjen e parë të kapitenit Harry Kane e priti portieri Kasper Schmeichel, por jo edhe të dytën, ku sulmuesi anglez përfitoi nga topi i kthyer. Ky gol ia siguroi Anglisë fitoren 2:1 dhe kalimin në finalen e Evropianit.
“Kjo ishte një penallti e butë për mua. Një penallti tepër e lirë për një gjysmëfinale të Evropianit”, tha ish-arbitri Jonas Eriksson, i cili ndau drejtësinë në “Euro 2012” dhe “Euro 2016”. “Kryesisht jam i befasuar dhe i bezdisur që VAR-i nuk i tregoi arbitrit. Kjo penallti edhe vendosi se cili ekip kalon në finale”.
Vetë Sterling tha pas ndeshjes se ishte një penallti e qartë. Por ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, i cili tani është shefi i zhvillimit global të futbollit në FIFA, ishte ndër ata që dyshonin për këtë konstatim të sulmuesit të Anglisë.
“Në një moment si ai është e rëndësishme që arbitri të jetë absolutisht i bindur se ishte një penallti. Nuk ishte aq e qartë sa të thoshte ‘po është penallti’. Ai duhet të paktën të kishte një vështrim në ekran”, insistoi Wenger.
Trajneri i ri i Romës, Jose Mourinho shkoi më tej duke insistuar se as që bëhej fjalë për penallti.
“Për mua, ajo nuk është kurrë një penallti”, u shpreh Mourinho, ndonëse insistoi se ekipi më i mirë e fitoi gjysmëfinalen dhe ishte i lumtur për kalimin e Anglisë në finale.
Danimarka gjithashtu u ndie e hidhëruar nga fakti që një top i dytë ishte në fushë kur Sterling depërtoi nga krahu i djathtë në zonë, e që sipas rregullave mund të kishte çuar në ndaljen e lojës. Këtij hidhërimi të danezëve i shtohet edhe drita e laserit në fytyrën e portierit Schmeichel derisa bëhej gati për pritjen e gjuajtjes së Kane nga penalltia. Madje, për këtë, UEFA ka njoftuar se tashmë ka ngritur procedurë disiplinore ndaj Anglisë.
“Ishte një penallti që nuk duhej të ishte penallti. Jam shumë i zhgënjyer. Ju nuk mund të kaloni pranë topit të dytë në fushë, i cili ka ndikim në lojë”, tha i zhgënjyer përzgjedhësi i Danimarkës, Kasper Hjulmand.
Edhe ish-lojtari i Gjermanisë, Dietmar Hamann, që tani është ekspert futbolli në televizion, nuk u pajtua me vendimin e arbitrit që tregoi në pikën e bardhë në minutën e 104-t.
“Ata fituan me një penallti, e cila ishte një simulim i pastër. Anglia gjithmonë krenohet me faktin se është shtëpia e lojës së ndershme dhe pa simulim, por kjo nuk u vërtetua ndaj Danimarkës”, tha ai.
Ndërkohë, gazeta franceze “L'Equipe” tha se Anglia e theu mbrojtjen daneze vetëm falë “një penalltie të diskutueshme”, ndërsa në Itali – kundërshtarja e Anglisë në finalen e së dielës – “Gazzetta dello Sport” shkroi se “është turp që ata marrin këto copa të vogla të ndihmës, sepse nuk kanë nevojë për to”.
Gazetari italian Tancredi Palmeri u drejtua me një postim në Twitter, duke shkruar: “Po simulohet në shtëpi”, duke iu referuar me sarkazëm himnit të futbollit të Anglisë “Po vjen në shtëpi”.