Euro 2020

Mbrojtësit veteranë të Italisë duan ta dëshmojnë veten edhe ndaj Spanjës

Pavarësisht se kanë mbushur dollapët me trofe, dy mbrojtësit veteranë të Italisë janë ende në lojë për të dëshmuar se mund të garojnë në nivelin më të lartë. Giorgio Chiellini, i cili mbush 37 vjeç muajin tjetër, dhe 34-vjeçari Leonardo Bonucci janë shtylla e një mbrojtjeje të fortë të Italisë në Kampionatin Evropian të këtij viti. Detyra e tyre e ardhshme do të jetë ndalimi i Spanjës, të martën në gjysmëfinale të “Euro 2020”, që luhet në stadiumin “Wembley”.

“Kanë kaluar tashmë disa vjet që është thënë se ata janë çifti më i mirë në qendër të mbrojtjes në futbollin botëror”, tha të hënën trajneri i Italisë, Roberto Mancini. “Fuqia e tyre është se ata duan të dëshmojnë se janë më të mirët në pozitën e tyre me çdo ndeshje që kalon”.

Chiellini dhe Bonucci kanë qenë në zemër të mbrojtjes për Italinë dhe Juventusin për pjesën më të madhe të 11 vjetëve të fundit. Ata së bashku me Andrea Barzagli tani në pension formuan treshen e famshme, që njihej me nofkën “BBC”. Së bashku ata ndihmuan Juventusin të fitonte tetë tituj kampioni në Serie A dhe katër trofe të Kupës së Italisë. Secili ka luajtur më shumë se 100 ndeshje për vendin e tij.

“Është e qartë se kur jemi duke luajtur së bashku me njëri-tjetrin, ne e dimë lojën e njëri-tjetrit nga brenda dhe kështu gjërat vijnë shumë natyrshëm te ne. Ne mund të ndajmë ngarkesën e punës dhe të ndihmojmë ekipin dhe gjithashtu mund të jemi të dy udhëheqës. Kjo është absolutisht thelbësore dhe më lejon si veten ashtu edhe Giorgion të japim 100 për qind si në fushë ashtu edhe jashtë saj”, tha Bonucci.

Chiellini humbi ndeshjen përfundimtare të Italisë në grupe kundër Uellsit dhe fitoren ndaj Austrisë në 1/8 e finales për shkak të dëmtimit, por ai u kthye për fitoren 2:1 ndaj Belgjikës në çerekfinale. Kundër Belgjikës, ai bllokoi një goditje të fuqishme nga Kevin De Bruyne me fytyrën e tij dhe menjëherë buzëqeshi - duke nxitur një buzëqeshje edhe te mesfushori kundërshtar. Chiellini dhe Bonucci ndihmuan Italinë të kontrollonte sulmin e Belgjikës, me Romelu Lukakun që shënoi golin e vetëm nga penalltia. Ky ishte vetëm goli i dytë që Italia e pësoi në “Euro 2020”. Tani, Italia do të përballet me Spanjën në gjysmëfinale, që është ekipi me më së shumti gola të shënuar në Evropian. Dhe dyshja mbrojtëse do të dalë kundër një sulmuesi që e njeh mirë, shokut të skuadrës së Juventusit, Alvaro Morata.

“Kur të arrini në këtë nivel, kur të arrini në këtë fazë të turneut, të gjitha ekipet me të cilat përballeni dhe të gjithë sulmuesit me të cilët përballeni janë të jashtëzakonshëm”, tha Bonucci. Alvaro ka disa cilësi shumë specifike, por ne duhet të jemi aktivë për t’u siguruar se mund të marrim një rezultat të favorshëm”.

Chiellini shënoi golin e parë kur Italia mundi Spanjën 2:0 në çerekfinale të “Euro 2016” të mbajtur në Francë. Bonucci ishte në atë ekip, gjithashtu, dhe dyshja ishin gjithashtu në formacionin startues kur Spanja e mposhti Italinë 4:0 në finalen e “Euro 2012” në Kiev.

“Pa dyshim që finalja në Kiev lë një shije shumë të hidhur në gojën time. Për shkak se bateritë tona kishin mbaruar plotësisht në kohën kur arritëm në atë ndeshje. Ne nuk kishim energji e as ide. Ky ishte rezultati i drejtë bazuar në atë që bëmë në atë finale”, është shprehur Bonucci. “Sa i përket vitit 2016, ne ishim të sigurt se do t’i krijonim probleme Spanjës dhe në fakt ishte një lojë krejt tjetër. Ndeshja e së martës do të jetë një lojë shumë e hapur dhe Spanja e Italia do të dëshirojnë të përpiqen të luajnë lojën e tyre”.