Euro 2020

Fluturimet e gjata zhgënjejnë disa ekipe të “Euro 2020”

Një Kampionat Evropian i zgjeruar po shton kilometrat në udhëtimet ajrore për përfaqësueset pjesëmarrëse si kurrë më parë. Disa ekipe në “Euro 2020”, që po mbahet në vende të ndryshme, kanë luajtur shumicën ose të gjitha ndeshjet e tyre deri më tani në shtëpi. Të tjera po fluturojnë nga një skaj i kontinentit në tjetrin dhe kthehen përsëri.

“Fatkeqësisht keni ekipe që mund të luajnë të gjitha ndeshjet e tyre në grupe në vendet e tyre”, tha mbrojtësi i Belgjikës, Thomas Vermaelen, të martën, pasi fazën e grupeve me ekipin e tij e kaloi midis St. Petersburgut dhe Kopenhagës me një bazë stërvitore të vendosur në Belgjikë.

“Udhëtimi nuk është diçka që do t'ju ndihmojë të fitoni turneun, por është diçka që duhet ta pranojmë dhe thjesht të merremi me të. Nuk është diçka për të cilën ne do të ankohemi si ekip. Është thjesht diçka që i përket këtij turneu”.

Distanca midis 11 qyteteve organizatore të ndeshjeve bën që edhe udhëtimet në dy botërorët e fundit - kur skuadrat fluturuan mbi pyjet e Amazonës në Brazil ose mbi malin Ural të Rusisë – të duken të vogla në krahasim me udhëtimet e tanishme. Polonia udhëtoi më së largu në një grup të ndarë midis Sevillës në jugperëndimin e largët të Evropës dhe St. Petersburgut në verilindje. Qytetet janë gati 3.600 kilometra larg, një udhëtim që Polonia e bëri dy herë, duke ndaluar në shtëpi përgjatë rrugës.

Zvicra udhëtoi në mes të Romës dhe Bakut. Ekipi mezi e siguroi plasmanin në 1/8 e finales, pasi përfundoi i treti në grup. Përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkoviq, tha se nuk u ndihmua aspak nga kalimi i dy zonave kohore në katër raste në më pak se dy javë.

“Pa dyshim që nuk është mënyra optimale për t'u përgatitur për çdo ndeshje”, tha Petkoviq. “Ne kemi udhëtuar kaq shumë dhe na është dashur të përshtatemi me gjithçka tjetër. Ishte vërtet e vështirë dhe duhet të bëj një kompliment për ekipin tim për mënyrën se si ka reaguar. Askush nuk është ankuar”.

Zvicra tani është në Rumani për t'u ndeshur me Francën të hënën në 1/8 e finales. Me një fitore në Bukuresht, zviceranët do të drejtohen në St. Petersburg për një ndeshje të mundshme çerekfinale dhe më pas ndoshta në Londër për gjysmëfinale.

Derisa disa ekipe udhëtojnë nëpër kontinent, të tjerat qëndrojnë në shtëpi. Italia, Spanja, Gjermania, Holanda, Danimarka dhe Anglia luajtën ndeshjet e tyre të grupeve në një stadium të vetëm si bashkë-nikoqirë. Anglia duhet të qëndrojë në Londër për 1/8 e finales dhe mund të fitojë turneun duke luajtur gjashtë nga shtatë ndeshjet në stadiumin “Wembley”. Kur UEFA propozoi për herë të parë formatin e “Euro 2020” në vitin 2012, presidenti i atëhershëm Michel Platini tha se “këto ditë të udhëtimit të lirë ajror” mund ta bëjnë turneun të funksionojë dhe madje mendoi nëse ndeshjet mund të mbaheshin në 32 qytete.

Pandemia e koronavirusit ndaloi shumë tifozë të udhëtonin, duke zvogëluar disi gjurmët e karbonit në “Euro 2020”, por ka ende kontroll të ndikimit të tij në mjedis. Më shumë vëmendja ka qenë në sponsorët si gjigandi i automjeteve “Volkswagen” dhe prodhuesi shtetëror rus i gazit “Gazprom”.

Grupi mjedisor “Greenpeace” doli për të protestuar kundër “Volkswagenit”, kur Gjermania luajti me Francën në Munich, por iu desh të kërkonte falje kur u rrëzua fluturakja, duke lënduar dy persona. Turneu në vitin 2024 kthehet në një format klasik sa i takon organizimit, me një vend të vetëm, Gjermaninë. Dy qytetet më të largëta - Hamburgu dhe Munichu - ndahen nga një fluturim i shkurtër dhe tifozët duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë lehtë nëpërmjet rrugës ose hekurudhës. Katër qytetet e tjera pritëse - Koelni, Dueseldorfi, Dortmundi dhe Gelsenkircheni - janë më së largu 75 kilometra nga njëri-tjetri.

Është një pyetje e hapur. Vendimi i UEFA-s për të rritur Kampionatin Evropian në një ngjarje me 24 skuadra do të thotë që vetëm shtetet më të mëdha mund të presin turneun të vetme. Italia, Rusia, Turqia dhe Spanja janë konsideruar pretenduese për Evropianin e vitit 2028. Pas “Euro 2020”, organizimi i përbashkët i turneut nuk duket ende i gatshëm për rikthim.