Kampionati Evropian i Futbollit tashmë është një turne për t’u mbajtur mend, duke ofruar aq shumë momente që nuk do të harrohen për një kohë të gjatë. Me çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalen që ende nuk janë zhvilluar, priten edhe më shumë momente tjera të paharrueshme.
ndeshjet e fazës së grupeve dhe fazës së parë të nokautit kanë lënë shumë përshtypje. Nga frika e tmerrshme që solli kolapsimi i Christian Eriksenit, jo shumë gjëra që kanë ndodhur deri më tani në “Euro 2020” do të harrohen lehtë.
Më poshtë paraqesim disa prej arsyeve që konfirmojnë se ky ishte njëri për turneve më të dashur të luajtur deri më tani.
Eliminimi i kampionëve
Portugalia dhe Franca u futën në “Euro 2020” si kampione respektivisht e Evropës dhe Botës por dy ekipet janë eliminuar në 1/8 e finales. Portugalia nuk arriti ta kapërcente Belgjikën, e cila e mposhti me rezultatin 1:0. Ndërsa Franca u dërgua në shtëpi nga Përfaqësuesja e Zvicrës. Në të vërtetë Franca deri në minutat e fundit të ndeshjes ishte në epërsi 3:1, por Zvicra e barazoi rezultatin dhe pas penalltive arriti të futet në mesin e tetë ekipeve më të mira të Evropianit, duke fituar me rezultatin 5:4.
Spanja po emocionon sërish
Përfaqësuesja e Spanjës u përball me shumë kritika në fillim të Evropianit, pasi me të vërtetë kishte vështirësi për të shënuar gol. Mirëpo më pas u tregua shumë efikase në dy ndeshje rresht, me Sllovakinë dhe Kroacinë, duke shënuar dhjetë gola. Sllovakinë e mposhti 5:0 në duelin e fundit të fazës së grupeve derisa Kroacinë 5:3 në 1/8 e finales. Ndeshja me kroatët u vendos pas vazhdimeve, kurse koha e rregullt e takimit u mbyll me shifrat 3:3. Pasi zhgënjeu në “Euro 2016” të mbajtur në Francë dhe Botërorë t“Brazili 2014” e ‘’Rusia 2018”, Spanja po duket përsëri premtues edhe është një ndër favoritet për të triumfuar në “Euro 2020”. Fillimisht megjithatë duhet ta kalojë Zvicrën në çerekfinale.
Goli historik i Schickut
Sulmuesi i Përfaqësueses së Çekisë, Patrik Schick, shkroi historinë në “Euro 2020” duke shënuar një gol fenomenal nga distanca. Ai në ndeshjen e fazës së grupeve ndaj Skocisë shënoi gol hiç më afër se prej 45 metrave e 44centimetrave, për t’u futur në historinë e Evropianit si lojtari që ka shënuar golin prej distancës më të madhe. Ka pasur një numër të madh golash të shkëlqyeshëm këtë verë, por ai i sulmuesit çek mbetet zgjedhja më e mirë.
Kthimi i tifozëve
Pas më shumë se një viti me stadiumet bosh, të vetmuar dhe të pajetë shkaku i koronavirusit, futbolli është përsëri në duart e tifozëve. Ndeshjet e Evropianit janë zhvilluar në 11 qytete të kontinentit, por dy prej stadiumeve tërhoqën vëmendjen më të madhe. “Parken Stadium” në Kopengahë dhe “Pushkash Arena” në Budapest më së miri treguan se sa më argëtues është futbolli me tribuna të stërmbushura. Kthimi i tifozëve vlerësohet se i ka dhënë hijeshi Evropianit.
Golat e garantuar
Dy nga ditët me më së shumti gola në Kampionate Evropiane ishin pikërisht këtë verë. Të hënën u realizuan hiç më pak se 14 gola në dy ndeshjet e 1/8 së finales. Në fakt, tashmë ka pasur më shumë gola këtë Evropian sesa në tërësi në “Euro 2016”. Në 42 ndeshje janë shënuar 118 gola dhe vetëm dy prej ndeshjeve përfunduan pa gola – në atë Spanja kundër Suedisë dhe Anglia kundër Skocisë.
Më shumë autogola se kurrë
Qendërmbrojtësi i Turqisë, Merih Demiral, shënoi autogol në ndeshjen hapëse të Kampionatit Evropian. Dhe deri më tani në “Euro 2020” janë shënuar nëntë autogola, më shumë se në gjithë Evropianët e tjerë së bashku. Më shumë se kurrë duket se ekipet po i gjejnë “rivalët” në dhomat e tyre të zhveshjes.
Rekordet e Ronaldos
U eliminua në 1/8 e finales të “Euro 2020” me pesë gola të shënuar në ngjarje, por ylli portugez Cristiano Ronaldo u ngjit në krye të listës si golashënuesi më i mirë në Kampionate Evropiane, me 14 gola në total. Kur i shtohen edhe golat në Botëror, Ronaldo ka 20 gola në ngjarje të mëdha, si asnjë lojtar tjetër. Ai tani është në nivel me ish-sulmuesin e Iranit, Ali Daei, me 109 gola të shënuar, si rekordmenë të futbollit ndërkombëtar.
Lidhjet familjare
Federico dhe Enrico Chiesa janë bërë të parët babë e bir, të cilitdo nacionalitet, që kanë shënuar gol në Kampionatin Evropian. Enrico realizoi gol në “Euro 1996” ndërsa Federico këtë verë, 25 vjet më vonë. Thorgan dhe Eden Hazard i bashkohen listës mitike të vëllezërve – përkrah vëllezërve Laudrup e De Boer – që kanë luajtur së bashku në të njëjtën përfaqësuese në Evropian.
“Rebelimi” i ekipeve të vogla
Hungaria, Zvicra, Çekia dhe madje Përfaqësuesja e Ukrainës kanë pasur paraqitje impresionuese në “Euro 2020”. Me përjashtim të Hungarisë e cila u eliminua në fazën e grupeve përkundër dy barazimeve në tri ndeshje të zhvilluara, Zvicra, Çekia dhe Ukraina tashmë janë kualifikuar në çerekfinalen e këtij turneu.
“Shkëlqimi” i arbitrave
Pas 44 ndeshjeve të zhvilluara deri më tani në Evropian, nuk ka pasur dyshime e as kritika ndaj arbitrave. Vetëm paraqitja e arbitrit Antonio Mateu Lahoz në ndeshjen e fazës së grupeve ndërmjet Francës dhe Portugalisë la pak për të dëshiruar, përshkak se akordoi tri penallti në duelin që u mbyll pa fitues 2:2. Në fakt, shqetësimet ishin vetëm për njërën penallti, pasi dy të parat nuk u kontestuan nga askush. Marrë në tërësi, edhe paraqitja e Lahozit ishte e mirë kryesisht.