Luis Enrique pritet të mbetet në krye të Spanjës edhe për disa vjet. Mediumet spanjolle kanë raportuar të enjten se drejtuesit e Federatës së Futbollit të Spanjës, po duan ta mbajnë Enriquen të paktën deri pas përfundimit të Evropianit të vitit 2024, që do të mbahet në Gjermani.
Te Spanja kanë mbetur të kënaqur me punën e Enriques, i cili me një ekip kryesisht të ri, arriti deri në gjysmëfinale të “Euro 2020”.
Enrique ka kontratë deri në vitin e ardhshëm dhe pritet së shpejti të ulet për të biseduar me presidentin e federatës spanjolle, Luis Rubialesin për vazhdimin e bashkëpunimit.
Mësohet se edhe nëse arrihet marrëveshja mes palëve për vazhdimin e kontratës, zyrtarizimi nuk do të bëhet deri në momentin që Spanja e siguron kualifikimin për Botërorin që mbahet vitin tjetër në Katar.
Aktualisht, Spanja i prinë grupit të saj kualifikues me shtatë pikë të tubuara pas tri ndeshjeve të luajtura. Enrique është në krye të Spanjës prej nëntorit të vitit 2019.