Euro 2020

Braziliani Jorginho, zemra e Italisë në “Euro 2020”

Londër, 5 korrik – Një prani diskrete, por “e pazëvendësueshme” në mesfushë, Jorginho ka qenë themeli i ringjalljes së Italisë nga dështimi në Botërorin “Rusia 2018” në pretendenimin për të triumfuar në “Euro 2020”. Italia në gjysmëfinale të Evropianit, do të përballet të martën mbrëma me Spanjën në Londër, qytetin e ekipit të Jorginhos, Chelseat. Një nga kontingjentët brazilianë tek Italia së bashku me Emerson Palmierin e Rafael Toloin, Jorginho, i lindur në qytetin jugor të Brazilit, Imbituba, ka sjellë talentin teknik të vendit të lindjes në Italinë e tij të adoptuar.

“Me Jorginhon, gjithçka duket e thjeshtë. Ai është thelbësor për këtë ekip, i paprekshëm”, tha partneri i tij i mesfushës tek Italia, Marco Verratti.

Ndërkohë, mesfushori tjetër i Italisë, Nicolo Barella, shkoi edhe më larg.

“Jorginho dhe Verratti janë dy fenomene që e bëjnë ekipin të funksionojë”, tha Barella, i cili shënoi golin e epërsisë ndaj Belgjikës, të cilën Italia e eliminoi në çerekfinale me rezultatin 2:1. “Kjo mesfushë, së bashku me atë të Interit që e fitoi titullin e kampionit në Serie A, është ndër më të fortat në të cilat kam luajtur ndonjëherë. Midis nesh ne krijojmë rivalitete që shtyjnë njëri-tjetrin për të bërë më mirën dhe për të fituar”.

Kundër tri herë kampiones së Evropës, Spanjës, do të jetë një betejë tjetër pasi Italia kërkon të vazhdoj serinë fantastike prej 33 ndeshjeve pa humbje rresht dhe të bëjë një hap drejt titullit të kampionit të Evropës, të cilin e fitoi në vitin 1968 për herën e fundit.

“Me Spanjën do të jetë një lojë e vështirë, ne jemi dy skuadra të ngjashme që dëshirojmë të mbajmë topin”, vazhdoi Barella.

Mbrojtësi i krahut të majtë, Leonardo Spinazzola, një tjetër nga motorët prapa suksesit të Italisë në “Euro 2020”, do të mungojë në gjysmëfinale për shkak të lëndimit që e pësoi ndaj Belgjikës. Emersoni, braziliani tjetër nga Santosi, një tjetër fitues i Ligës së Kampionëve me Chelsean sikurse Jorginhos, ka gjasa të mëdha që të jetë titullar te Italia ndaj Spanjës në krahun e majtë. Jorginho ka arritur të jetë pjesë e Italisë, falë gjyshit të tij që vjen nga rajoni verior i Vicenzas. Pasi kishte dy nënshtetësi – braziliane dhe italiane – Jorginho në fund zgjodhi të luante për Italinë. Në vitin 2012, ai u ftua te Përfaqësuesja U21 e Italisë, kurse në muajin mars të vitit 2016, Jorginho debutoi tek Italia.

“Ndiej që kam teknikën braziliane me top, por kam mentalitetin italian për t’i stërvitur gjithmonë fort dhe për të fituar”, pranoi Jorginho.

Përderisa te Chelsea, ku partneriteti i tij me francezin N'Golo Kante frymëzoi klubin anglez në fitoren e finales të Ligës së Kampionëve ndaj Manchester Cityt, Jorginho 29-vjeçari është punëtori i çmuar nën hije për Italinë. Me nofkën “Profesori”, ose “Radio Jorginho” për shkak të udhëzimeve të tij me zë në fushë, ai është një nga dy lojtarët e vetëm jashtë fushe që ka luajtur të pesë ndeshjet e Italisë në “Euro 2020”, me qendërmbrojtësin Leonardo Bonucci.

“Ai ka një personalitet të fortë, dhe në një ekip është me të vërtetë komandanti”, tha ish-drejtori sportiv i Veronas, Mauro Gibellini, i cili e pa Jorginhon si fëmijë në Brazil.

Gibellini kishte krijuar një shkollë futbolli në vendin e Amerikës së Jugut. Dhe, ai nuk hezitoi aspak kur e pa Jorginhon në moshën 12-vjeçare në një turne në vendlindjen e tij. Në fakt, nëna e tij, një ish-futbolliste ka qenë trajnerja e parë e Jorginhos. Pas disa vitesh në këtë shkollë futbolli në Brazil, Jorginho arriti në Evropë dhe iu bashkua Veronas, ekip me të cilin luajti fillimisht në Serie B, dhe më pas edhe në Serie A. Ai më pas u bashkua me Napolin për katër vjet nga viti 2014 ku lulëzoi nën urdhërat e trajnerit Maurizio Sarri, të cilin e ndoqi në Chelsea.

“Jorginho nuk ka ndryshuar kurrë, pasi edhe si fëmijë ka luajtur në mënyrën sesi luan sot”, vazhdoi Gibellini. “Ai ka një cilësi të shkëlqyeshme, para se të arrijë topi, ai tashmë e di se kah ta drejtojë ndeshjen. Ai nuk ka nevojë ta prekë topin më shumë se një ose dy herë. Ai luan me kokën lart. Ai dikton tempin e lojës, përfshirë mbrojtjen se kur duhet të bërë presion dhe kur të shtyjë ekipin përpara. Edhe nëse nuk është i fuqishëm dhe jo shumë i shpejtë, ai këtë e kompenson me inteligjencën e tij”.

Që nga viti 2018, Jorginho ka qenë në Chelsea, duke fituar Ligën e Evropës në vitin 2019 së bashku me Sarri n, para suksesit në Ligës së Kampionëve në edicionin e fundit me trajnerin gjerman Thomas Tuchel.

“Unë do të doja të ndieja të njëjtat emocione edhe me ekipin kombëtar”, pranoi Jorginho, i cili deri më tani ka 33 paraqitje me fanellën e Italisë. “Ky grup i ngjan Chelseat, është i mrekullueshëm, dhe lojtarët janë aq të uritur për sukses, saqë me çdo kush e duan fitoren. Ky Evropian është gjithashtu turneu im i parë i madh me Italinë dhe unë me të vërtetë dua të bëj më të mirën ta ndihmoj drejt suksesit”.