Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Jorginho forcon mesfushën e Arsenalit

Reprezentuesi i Italisë, Jorginho, është futbollist i ri i Arsenalit. Të martën mbrëma është zyrtarizuar kalimi i Jorginhos nga Chelsea tek Arsenali. Jorginho është 31-vjeçar, ndërsa në Premier League i ka 143 paraqitje. Arsenali pritet të përfitojë shumë nga përvoja e pasur e Jorginhos në nivel klubesh dhe përfaqësuesesh.

Futbollisti i lindur në Brazil ka gati 500 paraqitje me skuadra gjatë karrierës. Luan rregullisht për Italinë për më shumë se pesë vjet. Deri më tani i ka 46 paraqitje, ndërsa dha kontribut të çmuar në triumfin e Italisë në Euro 2022.

Me Chelsean, ai ka fituar Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës, Superkupën e UEFA-s dhe Botërorin e klubeve.

Jorginho filloi karrierën në Akademinë e Veronas. Te ky klub i kaloi katër vjet në ekipin e parë. Më pas kaloi te Napoli në Serie A. Me Napolin e fitoi Kupën e Italisë dhe Superkupën në vitin 2014. Bëri 160 paraqitje gjatë katër vjetëve te kjo skuadër.

“Jorginho është një profesionist i dëshmuar me mentalitet të fortë, që sjell kualitet dhe përvojë në skuadrën tonë. Ai përshtatet në stilin tonë të lojës dhe bashkohet me ne në një moment shumë të mirë. Mund të kontribuojë që të vazhdojmë në mënyrën e njëjtë. E mirëpresim Jorginhon tek Arsenali”, ka thënë drejtori sportiv i Arsenalit, Edu.

I lumtur për transferimin e mesfushorit është shprehur edhe trajneri Mikel Arteta.

“Jorginho është mesfushor me intelegjencë, aftësi lideri dhe me përvojë të jashtëzakonshme. Ai ka fituar gjatë karrierës, por është shumë i uritur për të kontribuar këtu. Jemi shumë të lumtur që kemi firmosur me të dhe e mirëpresim në klub”, ka thënë Arteta.

Jorginho do ta mbajë fanellën me numër 20 dhe do të bashkohet menjëherë me skuadrën para ndeshjes që luhet të shtunën me Evertonin.

Sipas raportimeve, Jorginho i ka kushtuar Arsenalit 15 milionë funte. Arsenali udhëheq në Premier League dhe po e kërkon titullin e kampionit.

Artikuj të ngjashëm