Euro 2020

Triumfi në Euro 2020 mund ta bëjë Jorginhon pretendent për “Topin e Artë”

I keqkuptuar, i kritikuar dhe i nënvlerësuar. Të gjitha këto ishin pjesë e rrugëtimit të Jorginhos prej se kaloi në futbollin anglez në vitin 2018. Në vitin e fundit ai megjithatë dëshmoi se dyshuesit nuk kishin të drejtë.

Pasi fitoi Ligën e Kampionëve, duke pasur rol të madh te Chelsea, Jorginho ka rastin ta shtrijë suksesin edhe me përfaqësuese. Do të jetë pjesë e Italisë në finalen e Euro 2020, ndaj Anglisë, sonte në ‘’Wembley’’.

Nëse ‘’Azzurrët’’ dominojnë ndaj Anglisë, Jorginho mund të dalë para N’Golo Kantes në diskutimet për Topin e Artë, ka shkruar goal.com të dielën.

Ndonjëherë është e lehtë të anashkalohet Jorginho. 29-vjeçari nuk është i gjatë e as i shpejtë. Ai rrallë shfaqet me gola apo asistime për fitore. Në këtë drejtim, dobësitë e brazilianit që luan për Italinë janë të dukshme.

Por shumë italianë tashmë po njohin meritat e Jorginhos. Lorenzo Insigne ndër të tjerë.

“Nuk jam unë ai që vendos nëse e meriton Topin e Artë. Por shpresoj se do të jetë në listën e ngushtë”, ka thënë Insigne. “Ai e meriton. Është lojtar i madh. Unë e quaj profesor. Të gjithë ne jemi të lumtur që luajmë me të”.

Jorginho është lojtar i shkëlqyer ekipor, që komunikon shumë mirë në fushë. Ai shfaq aftësi të mëdha lidershipi prapa skenës dhe përcakton tempon e skuadrës me lojën me pasime.