Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gazetari italian shpjegon pse zgjodhi Jorginhon para Messit në votimet për “Topin e Artë”

Gazetari italian Paolo Condo ka zbuluar se ai e ka votuar Jorginhon për lojtarin më të mirë të vitit në votimet për “Topin E Artë”, pasi mesfushori është shpallur kampion i Evropës me Chelsean dhe Italinë, skuadra që sipas tij nuk ishin aspak favorite për të triumfuar në Ligën e Kampionëve, përkatësisht “Euro 2020”.

Jorginho u rendit i treti në votimet për “Topin e Artë”, të cilin e fitoi Lionel Messi për herën e shtatë në karrierë.

“Chelsea nuk ishte aspak favorit për ta fituar Ligën e Kampionëve në fillim të sezonit, dhe e njëjta gjë vlen edhe për Italinë në Kampionatin Evropian”, ka thënë Condo. “Jorginho luajti një rol të rëndësishëm për dy skuadrat. Për këtë arsye votova për Jorginhon, jo për faktin se është italian”.

Condo, i cili punon gazetar sportiv te e përditshmja “La Repubblica” dhe “Sky Sport Italia” është italiani i vetëm i përfshirë në panelin e gazetarëve që kanë pasur të drejtën e votimit për “Topin e Artë”.

Pas Jorginhos që kishte marrë pikët maksimale të Condos, gazetari italian ka votuar për Karim Benzeman, Lionel Messin, Robert Lewandowskin dhe Simon Kjaerin.