Spanja e Polonia do të kenë një sfidë të përbashkët kur të takohen të shtunën në Kampionatin Evropian.
Golat.
Spanja ka krijuar shans pas shansi ndaj Suedisë, por prapë luajti vetëm 0:0 në ndeshjen e saj hapëse në “Euro 2020”. Polonia humbi 2:1 nga Sllovakia, në një tjetër ndeshje në të cilën Robert Lewandowski nuk shënoi. Ai vazhdoi me paraqitje pa shumë shkëlqim në ngjarje të mëdha futbolli.
Fokusi në stadiumin “La Cartuja” do të jetë te Alvaro Morata, sulmuesi që u godit rëndë nga tifozët dhe mediat spanjolle për rastet e humbura në ndeshjen ndaj Suedisë. Ai ishte joefikas edhe në ndeshjen përgatitore ndaj Portugalisë, që përfundoi pa gola.
Spanja e Polonia takohen nga ora 21:00 në “La Cartuja”, në Sevilla.
Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, duhet të zgjedhë nëse do ta mbajë në përbërjen bazë sulmuesin e Juventusit apo do të bëjë ndryshime për ta freskuar sulmin. Shenjat e para janë se ai do ta mbajë Moratan. Enrique ka thënë se Morata kishte ndeshje shumë të mirë ndaj Suedisë, me gjithë rastet e humbura.
Lojtarët e tjerë të sulmit te Spanja janë Dani Olmo e Ferran Torres, që startuan përkrah Moratas ndaj Suedisë. Mikel Oyarzabal, Adama Traore dhe Pablo Sarabia janë sulmuesit e tjerë të Spanjës.
“Kemi lojtarë me shumë kualitet në sulm”, ka thënë Sarabia. “I takon trajnerit të vendosë se kush do të luajë. Kam punuar shumë çdo ditë për të fituar minuta, si startues apo si rezervist. Vazhdoj të jem shumë i motivuar dhe kam dëshirë për të ndihmuar ekipin që të arrijë synimin e ardhshëm, që është të fitohet të shtunën”.
Shpresat e Polonisë për fitore mbështeten te Lewandowski, që nuk është shfaqur në nivel të lartë në ngjarje të mëdha me Poloninë, me gjithë suksesin e pakontestuar në nivel klubesh. Ai erdhi në Evropian pas një edicioni të mahnitshëm me Bayernin, ku vendosi rekord të Bundesligës për gola të shënuar. Por Lewandowski dështoi të impresionojë te Polonia në ndeshjen hapëse ndaj Sllovakisë. Ai ka vetëm dy gola në 12 ndeshje me Poloninë në kampionate botërore apo evropiane.
“Kemi folur për ndeshjen ndaj Sllovakisë. Secili lojtar ka folur për atë që është dashur të shkojë më mirë. Nuk duhet të kthehemi tek ajo ndeshje. Është çështje e mbyllur. Nuk do të kemi ndeshje të tillë më. Jam i sigurt për këtë”, ka thënë Jan Bednarek, mbrojtës i Polonisë.
Te Spanja nuk llogarisin në një paraqitje tjetër të zbehtë të Lewandowskit.
“Lewandowski mbetet kërcënimi më i madh i sulmit të Polonisë. Të gjithë e dimë se çfarë edicioni ka pasur. Ai është i njohur në gjithë botën. Do të mundohemi t’ia bëjmë sa më të parehatshme, që mos të ketë ndeshje të mirë”, ka theksuar Sarabia.
Sarabia ka thënë se nuk do të ishte befasi nëse Polonia vendoset në mbrojtje, njëjtë si Suedia. Spanja ndaj Suedisë kishte 17 tentime.
“Është vështirë kur e gjithë skuadra kundërshtare luan në fushën e saj. Duhet të provojmë të gjejmë hapësirë pak nga pak”, thotë lojtari spanjoll.
Spanja po ashtu synon se gjendja e fushës do të jetë më e mirë. Spanjollët janë ankuar se gjendja e fushës e ka bërë për të më të vështirë ndeshjen ndaj Suedisë. Lojtarët spanjollë kanë pasur telashe për ta kontrolluar topin.
Spanja me shumë gjasë do të jetë pa kapitenin Sergio Busquets, ndonëse ai i është bashkuar skuadrës të premten, pas një periudhe izolimi pasi doli pozitiv për koronavirus.
Polonia, që është pa fitore në katër ndeshjet e fundit, do të jetë pa mesfushorin Grzegorz Krychowiak, që u përjashtua në ndeshjen ndaj Sllovakisë.