Uellsi hyri në histori në vitin 2016 duke arritur në gjysmëfinale të Evropianit pasi u kualifikua në këtë garë për herë të parë, ku u eliminua nga Portugalia, që u shpall kampione. Sidoqoftë, ishte kjo një arritje e madhe për një ekip që kryesisht ishte llogaritur si autsajder para fillimit të “Euro 2016”. Këtë herë, “dragonjtë uellsian” janë kualifikuar sërish në këtë turne duke përfunduar në pozitën e dytë në grup. Kështu që, Uellsi në “Euro 2020” e ka edhe një rast tjetër për të vjedhur shfaqjen.
Shpresat do të ishin të mëdha përsëri këtë herë, me përfshirjen e shumë të talentuarve të rinj në ndeshjet e fundit. Me gjithë problemet e Ryan Giggsit, Uellsi do të kërkojë të vazhdojë formën e mirë edhe në Evropian nën urdhrat e përzgjedhësit të përkohshëm, Robert Page. Uellsi u kualifikua në “Euro 2020” duke fituar katër nga tetë ndeshjet eliminatore dhe bën pjesë në Grupin A, së bashku me Turqinë, Zvicrën dhe Italinë. Uellsit do t’i duhen lojtarët e moshuar si Gareth Bale dhe Aaron Ramsey të jenë në formë të mirë nëse do të tejkalojnë ecurinë që e patën në vitin 2016. Një skuadër e re dhe energjike mund të jetë e frytshme për Uellsin, me kusht që të jetë e stërvitur mirë dhe e motivuar mirë për punë. Uellsi mund të shkaktojë shqetësime në Evropian, falë kundërsulmit shpërthyes.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPërzgjedhësi dhe taktika
Robert “Rob” Page është një ish-futbollist uellsian që aktualisht vepron si përzgjedhës i përkohshëm i Përfaqësueses së Uellsit. Ai ishte asistent i përzgjedhësit të përhershëm Ryan Giggs para se ky i fundit të arrestohej për akuzat e sulmit në nëntor të vitit 2020. Pas një akuze tjetër për sulm ndaj Giggsit, asistenti i tij, Page u njoftua nga Federata e Futbollit të Uellsit se do të jetë në krye të ekipit për “Euro 2020”. Përvoja e tij e kaluar si trajner, ishte në ligën angleze para se të merrte drejtimin e Përfaqësueses U21 të Uellsit. Dihet që Page preferon një futboll të bazuar në posedimin e topit, që mund të përshtatet me lojë sulmuese kundër skuadrave më të afta teknikisht. Do të jetë një punë e vështirë për Pagen, por ai ka një rekord të mirë deri më tani, pasi ka regjistruar katër fitore në gjashtë ndeshje me Uellsin.
Ylli i ekipit
Padyshim, mesfushorët Gareth Bale dhe Aaron Ramsey, do të jenë yjet e Uellsit, që kërkon t’i sfidojë skuadrat më të mira në të gjithë kontinentin për titullin. Të dy uellsianët, së fundmi u bashkuan për të shënuar kundër Hungarisë që e mposhtën me rezultatin 2:0 për të siguruar kualifikimin në Evropian për herën e dytë rresht. Pavarësisht një sezoni të ngarkuar me lëndime te Juventusi, Ramsey tani është në gjendje të mirë dhe do të jetë i rëndësishëm për Uellsin në fazën e grupeve kundër Turqisë, Zvicrës dhe Italisë. 31-vjeçari Bale e riktheu formën e tij pas huazimit te Tottenhami nga skuadra e Real Madridit që nuk llogariste në shërbimet e tij. Bale ka shënuar 16 gola në të gjitha garat sezonin e fundit për Tottenhamin dhe synon që këtë formë ta shfaqë edhe tek Uellsi në Evropian. Këta dy lojtarë me përvojë do të duhet të mbajnë peshën e përgjegjësisë në një skuadër relativisht të re, të cilën synojnë ta dërgojnë sa më larg në “Euro 2020”.
Lojtari i së ardhmes
Ethan Ampadu është një lojtar i ri, i cili do të tërheqë vëmendjen e shumë skuadrave në të gjithë Evropën kur do të luajë për Uellsin në “Euro 2020”. I riu i Sheffield Unitedit, mund të luajë në dy role, si qendërmbrojtës dhe mesfushor defensiv. Ai ka aftësi të mira si me top, ashtu edhe pa top.
20-vjeçari mund ta shtyjë topin përpara, si dhe të luajë me topa të gjatë me të dyja këmbët dhe është i mirë në ajër, gjë që e bën atë një zgjedhje të mirë për të ofruar mbrojtjen me tre lojtarë, të cilën e preferon përzgjedhësi Page. Ampadu bëri debutimin e tij për Uellsin në moshën 16-vjeçare, gjë që tregon potencialin që ka. Nëse ai mund të shkëlqejë në “Euro 2020” mbetet të shihet, por është e sigurt se Ampadu ka karrierë të ndritshme para vetes.
Bilanci
Duke fituar gjysmën e ndeshjeve të kualifikuese, Uells siguroi pjesëmarrjen në “Euro 2020” për herë të dytë në historinë e futbollit të vendit. Uellsi për herë të parë u kualifikua në Evropian në vitin 2016 duke i befasuar të gjithë pasi fazën e grupeve e përfundoi në pozitën e parë, dhe eliminoi Belgjikën e Irlandën për të arritur deri në gjysmëfinale. Uellsi ka fituar gjashtë nga dhjetë ndeshjet e fundit dhe në “Euro 2020” do të futet me një formë të mirë.
Gjasat
Shanset e Uellsit në “Euro 2020” konsiderohen mjaft të vogla duke pasur parasysh se është tejet vështirë që të përsëritet paraqitja e turneut të shkuar. Uellsi është në një grup të vështirë dhe padyshim se do të përpiqet që fillimisht ta kalojë me sukses fazën e grupeve përpara se të mendojë për më larg. Uellsi ka mangësi në skuadër dhe varet më shumë nga performanca e lojtarëve me përvojë - Bale e Ramsey - sesa performanca e përgjithshme e ekipit. Një skuadër e papërvojë dhe një përzgjedhës i papërvojë, mund të jenë befasia e këtij Evropiani dhe mund t’u shkaktojnë probleme të mëdha ekipeve favorite.
Lista e Turqisë për Evropian
Portierë: Wayne Hennessey, Daniel Ward, Adam Davies.
Mbrojtës: James Lawrence, Ben Davies, Joe Rodon, Chris Mepham, Chris Gunter, Rhys Norrington-Davies, Neco Williams.
Mesfushorë: Joe Allen, Joe Morrell, Ethan Ampadu, Matthew Smith, Jonathan Williams, Kieffer Moore, Aaron Ramsey, Harry Wilson, Gareth Bale, David Brooks, Tyler Roberts.
Sulmues: Tom Lawrence, Rabbi Matondo, Dylan Levitt, Tom Lockyer, Rubin Colwill, Mark Harris, George Thomas.
Ndeshjet e Turqisë në “Euro 2020”
12 qershor: Uellsi – Zvicra (15:00, Baku)
16 qershor: Turqia – Uellsi (18:00, Baku)
20 qershor: Italia – Uellsi (18:00, Romë)