Studentë të prirë nga anëtarë të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës kanë bllokuar hyrjen në Rektorat, duke pamundësuar mbajtjen e mbledhjes së Senatit. Ata kanë kërkuar nga rektori Arben Hajrullahu të tërhiqet nga një letër, ku sipas tyre, është përdorur gjuhë kërcënuese, të kërkojë falje dhe të mbajë përgjegjësi për moszbatimin e rregulloreve të UP-së. Studentët thanë se ka dështuar edhe tentativa për të mbajtur mbledhje online të Senatit
Me bllokim të hyrjes së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Parlamenti Studentor ka penguar të mërkurën mbajtjen e mbledhjes së Senatit, në të cilën ishin paraparë 12 pika të rendit të ditës.
Sipas studentëve, nuk do të ketë mbledhje të Senatit pa kërkimfaljen e rektorit Arben Hajrullahu për një letër, ku siç thonë ata, është përdorur gjuhë jo e përshtatshme e edhe janë bërë kërcënime ndaj studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, kur bojkotuan procesin e ligjëratave dhe të ushtrimeve shkaku i obligimit për ta evidentuar prezencën me QR Code.
Flon Kastrati, përfaqësues i Parlamentit Studentor, ka listuar kërkesat.
“E para është të tërhiqet rektori nga e-maili që e ka dërguar në drejtim të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, njësoj qysh ka bërë edhe Këshilli Drejtues, u tërhoq nga gjuha që e ka përdorur në atë e-mail. E dyta është të jap përgjegjësi për të gjithë moszbatimin e rregulloreve në të gjitha njësitë akademike, qysh i ka shkuar edhe shkresa Këshillit Drejtues. E treta është t’i dëgjojë këto kërkesa, të na tregojë njëfarë plani se qysh do t’i bëjë të gjitha këto që i ka përmendur në deklaratat e tija publike”, ka thënë Kastrati. “Ato po janë shumë të cekëta, nuk po kemi najfarë afati kohor ose nuk po kemi plan veprimi se qysh ka me i marrë mekanizmat për t’i zbatuar këto vendime dhe rregullore që vetë i ka votuar në Senat të Universitetit të Prishtinës”.
Sipas studentëve, ndonëse rektori doli me deklaratë publike se do t’i marrë parasysh kërkesat e tyre, në rendin e ditës për mbledhjen e Senatit këto çështje nuk ishin të përfshira.
E rektori Arben Hajrullahu nuk e sheh si problem rendin e ditës.
“Ne gjithmonë e dërgojmë një version të parë të rendit të ditës dhe gjithkush që ka qenë pjesë ndonjëherë e mbledhjeve të Senatit e di që në fillim rendi i ditës plotësohet dhe ndryshohet me çdo propozim. Studentë apo secili anëtar i Senatit ka të drejtën, dhe secilën herë ajo e drejtë respektohet, që të plotësohet edhe të ngërthehen propozimet e tyre për rend të ditës”, ka thënë rektori Hajrullahu. “Në qoftë se kanë të tilla, studentët e kanë si gjithmonë derën hapur dhe në këtë rast me propozu pika të rendit të ditës dhe çdo pikë do të diskutohet”.
E, në një reagim të Parlamentit Studentor, të bërë pasi është pamundësuar mbledhja e Senatit, thuhet se rektori tash e sa kohë e ka shndërruar Senatin në një arenë të përballjeve personale, në një hapësirë ku përdoret gjuhë joakademike, ndonëse pikërisht ai do të duhej të ishte shembulli i etikës, kulturës akademike dhe përgjegjësisë institucionale. Në të theksohet se, në vend të bashkëpunimit, koordinimit dhe angazhimit për të mirën e përgjithshme të Universitetit, në këtë organ dëgjohen vazhdimisht teori konspirative, akuza dhe shpallje armiqsh.
Në të tregohet se menaxhmenti i UP-së ka synuar ta mbajë edhe online mbledhjen, por ka dështuar.
“Për këto arsye, sot nuk lejuam mbajtjen e mbledhjes së Senatit. Kuorumi nuk u sigurua as në formatin online, çka dëshmon qartë se kjo nuk është thjesht çështje e një kundërshtimi individual, por pasojë e një krize të thellë të besimit dhe të keqmenaxhimit institucional nga ana e Rektorit”, thuhet në reagim. “Dhe një gjë duhet ta kemi të qartë: studentët janë gjithmonë fitimtarë në betejat për dinjitet, drejtësi dhe të drejtat e tyre përballë çdo pushteti që harron se kujt duhet t’i shërbejë. Pushteti mund të ketë institucionet dhe pozitat, por legjitimiteti fitohet me përgjegjësi, respekt dhe llogaridhënie”.
Përplasjet e studentëve me rektorin Hajrullahu nisën pas bojkotit të ligjëratave në Fakultetin e Mjekësisë për rreth dy javë. Studentët e kundërshtuan evidentimin e pjesëmarrjes përmes kodeve QR.
Po ashtu, disa komunikime të rektorit me studentët u cilësuan si kërcënuese, gjë që nxiti kërkesat edhe për dorëheqjen e tij.
Këshilli Drejtues është distancuar nga gjuha e përdorur nga rektori në komunikimin elektronik me studentët.
Mbledhja e ardhshme e Senatit është paralajmëruar të mbahet më 27 nëntor.