Support TIME. Preserve the truth.
EVENING NEWS

16-day activism against violence against women begins with protest

16-day activism against violence against women begins with protest

Photo: Driton Pacharada

Në fillim të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave, u protestua në Prishtinë me kërkesën që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare. Rrjeti i Grave të Kosovës kërkoi që femicidi të listohet edhe si vepër e veçantë penale

Me kërkesën që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare, në sheshet e Prishtinës është protestuar të mërkurën kundër vrasjes së grave.

Adelina Berisha, aktiviste e Rrjetit të Grave të Kosovës, kërkoi të krijohet një mekanizëm për monitorimin e rasteve të vrasjeve të grave, plotësim të legjislacionit dhe buxhet adekuat që ndikon në përmirësimin e gjendjes.

“Ne po ndihemi të rrezikuara, ne po ndihemi të pambrojtura nga ky vend, andaj edhe sot kemi dalë të protestojmë. Sot edhe fillojnë 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës ndaj grave, andaj edhe në këtë protestë sot kërkojmë që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare. Kërkojmë që të krijohet mekanizmi i ‘Femicide watch’ për monitorimin e rasteve të vrasjeve të grave, kërkojmë buxhetim adekuat për të gjitha shërbimet të cilat janë në mungesë dhe kërkojmë harmonizim dhe plotësim të legjislacionit aty ku ka mungesë dhe të mos kemi asnjë zbrazëtirë ligjore në trajtimin e rasteve”, ka thënë Berisha.

Në nisje të protestës, aktivistja Shukrije Gashi kërkoi dënime më të rënda për dhunuesit dhe vrasësit e grave.

“Sidomos gjyqësori kur marrin vendime për dënime lë të jenë dënime të renda, me burg të rëndë në mënyrë që kryerësit e rasteve të tilla sigurisht se do të hamendësoheshin se a do të ndërmarrin një veprim të tillë apo jo”, ka thënë kjo aktiviste.

Ndërkaq, protestuesi Fadil Presheva foli për diskriminimin e grave.

“Se gratë këtu nuk i kanë të drejtat e plota. Kam dëgjuar se ka diskriminime të mëdha të grave, sidomos atyre të cilat janë për lindje (punëtore shtatzëna v.j.), po i qesin prej kompanisë. Ajo është diskriminim. Nuk e di se mundet një kompani ta bëjë këtë diskriminim në shtetet demokratike. Ata do të duhej ta humbnin të drejtën e ekzistimit të kompanisë”, ka thënë ai.

Me thirrjet për drejtësi për gratë dhe reagim institucional, protestuesit marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” tek objekti i Qeverisë, që ka qenë destinacion i fundit.

Aktivistja Zana Hoxha deklaroi se femicidi duhet të njihet si vepër penale.

“Femicidi duhet të njihet si vepër e veçantë penale në kodin penal të Kosovës. Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet me i emërtu ato raste si femicid, e hetimi me u kthyer tek krejt çka i ka paraprirë asaj vrasjeje. A ka pas dhunë, a e ka kërcënuar dikush, a ia ka kontrolluar lëvizjet, telefonin, a e ka kërcënuar se ka me ia marrë fëmijët”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Besarta Breznica ka thënë se vrasja e Arlinda Zekajt i detyron të kërkohet përgjegjësi.

“Na detyron të kërkojmë përgjigje për mundësitë e humbura për ndërhyrje dhe për veprimet që institucionet kanë ndërmarrë apo nuk kanë ndërmarrë për ta mbrojtur jetën e saj. Institucionet duhet të raportojnë që në raportimin e parë të dhunës, t’i marrin seriozisht kërcënimet, të vlerësojnë rrezikun dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e saj”.

Organizatorët e protestës, ditë më parë, kanë thënë që institucionet nuk duhet të jenë pjesë e protestës, por që njerëzit që punojnë në to duhet t’i kryejnë detyrat që të mos ketë arsye për protestë.

Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, janë organizuar protesta, nëpërmjet të cilave është kërkuar përgjegjësi nga bartës institucionesh shkaku i mosveprimit, si dhe janë kërkuar masa për mbrojtje më të madhe të grave kur i nënshtrohen dhunës në familje.