Support TIME. Preserve the truth.
EVENING NEWS

MPs: Violence against women is a scourge on the entire society

Group of Women MPs

Photo: Driton Pacharada

Në hapje të fushatës globale “16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, Grupi i Grave Deputete organizoi asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambliste. Ndërkaq, presidentja Justina Shiroka-Pula, ka themeluar Këshillin Presidencial për Fuqizimin e Grave, Barazinë Gjinore dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Grave

Dhuna ndaj grave është plagë e gjithë shoqërisë, është thënë në asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambliste, e mbajtur të mërkurën në Kuvendin e Kosovës.

Kryekuvendarja Albulena Haxhiu u shpreh se siguria e grave nuk është çështje që përfundon te dera e shtëpisë.

“Një çështje tjetër që lidhet me pozitën e grave në shoqëri është mënyra se si trajtohen në jetën publike, përfshirë këtu edhe gratë në politikë. Gratë në politikë vazhdojnë të përballën me fyerje e sulme që kanë të bëjnë me pamjen, me trupin e tyre, moshën apo jetën e tyre private”, ka thënë Haxhiu.

E kryesuesja e Grupit të Grave Deputete, Arjeta Rexhepi, tha se kur flitet për dhunën në baza gjinore, nuk flitet për betejën e grave kundër burrave, por për ndërtimin e një shoqërie ku të gjithë ndihen të sigurt.

“Dhuna ndaj gruas është një plagë e shoqërisë dhe dështim i një sistemi ku viktima duhet të kërkojë mbrojtje disa herë. Është dështim i drejtësisë kur frika e viktimës është më e madhe se frika e dhunuesit ndaj ligjit”, ka thënë Rexhepi.

E, deputetja nga radhët e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, theksoi se mbrojtja e jetës së gruas nuk duhet të mbetet peng i ndarjes së kompetencave institucionale dhe mungesës së komunikimit mes tyre.

“Çfarë kuptimi ka liria për një grua që jeton me frikë brenda shtëpisë së saj? Për një vajzë që duhet të mendojë se nga cila rrugë duhet të kthehet në shtëpi. Çfarë ore dhe në shoqërinë e kujt, apo për një grua që heq dorë nga angazhimi publik, sepse çmimi i pjesëmarrjes së saj është kërcënimi, denigrimi dhe cenimi i dinjitetit të saj. Këto janë kufizime reale të lirisë edhe pse rrallëherë i trajtojmë si të tilla”, ka thënë Kabashi.

Po të mërkurën, presidentja Justina-Shiroka Pula, ka themeluar Këshillin Presidencial për Fuqizimin e Grave, Barazinë Gjinore dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Grave, si platformë shtetërore me misionin për t’i avancuar të drejtat, sigurinë, pjesëmarrjen dhe pavarësinë ekonomike të grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën.

“Prioriteti qendror i Këshillit do të jetë fuqizimi ekonomik dhe financiar i grave, si dhe adresimi i dhunës ndaj tyre. Presidentja Shiroka-Pula theksoi nevojën për zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës kundër grave, diskriminimit dhe mohimit të mundësive të barabarta, duke kërkuar reagim të koordinuar, mbrojtje dinjitoze për viktimat dhe llogaridhënie të plotë institucionale”, thuhet në njoftimin e Presidencës. “Ky Këshill do ta bashkojë ekspertizën e shoqërisë civile, profesionisteve të pavarura, akademisë, sektorit privat, komuniteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë, për t`i identifikuar mangësitë, propozuar rekomandime konkrete, pa i zëvendësuar përgjegjësitë e institucioneve ekzistuese”.

Presidentja Shiroka-Pula ka ftuar institucionet, organizatat e shoqërisë civile, profesionistet dhe profesionistët, komunitetet dhe partnerët ndërkombëtarë që të bëhen pjesë e përpjekjejes së përbashkët, duke theksuar se fuqizimi i grave është përgjegjësi e të gjithë shoqërisë.