Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Opposition MPs criticize government for investing in healthcare through loans

Hospital - KKUK

Hospital - KKUK (Photo-Illustration)

Photo: Driton Pacharada

Për modernizimin e pajisjeve mjekësore dhe renovimin e spitaleve publike në Kosovë, do të merren 41 milionë euro kredi. Marrëveshjet e kredisë nga dy banka ndërkombëtare, janë miratuar në Komisionin për Buxhet me shtatë vota për. Por vërejtje kanë bërë anëtarët e këtij komisioni, që u përkasin subjekteve opozitare

Komisioni parlamentar për Buxhet ka miratuar me shtatë vota për dy projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë, në vlerë prej 41 milionë eurosh. Mjetet e siguruara nga dy institucione ndërkombëtare parashihen të përdoren për modernizimin e pajisjeve mjekësore dhe përmirësimin e infrastrukturës në shtatë spitale publike dhe në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).

Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë raportimit të mërkurën, tha se financimi do të sigurohet nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës dhe Banka Evropiane e Investimeve, të cilat do të mbulojnë secila nga 50 për qind të shumës së nevojshme.

Sipas tij, përmes tyre parashihet modernizimi i shtatë spitaleve publike, furnizimi me pajisje të reja mjekësore për QKUK-në dhe spitalet rajonale, si dhe përmirësimi i njësive të kujdesit intensiv.

“Këtu përfshihen pajisjet diagnostifikuese, terapeutike, dhe për mbështetjen e funksioneve jetësore si skaner CT, sistemet e ultrazërit, pajisjet për salla të operacioneve dhe të tjera. Mjetet do të përdoren gjithashtu për përmirësimin e njësive të kujdesit intensiv, pra edhe renovimet përcjellëse që janë të nevojshme. Ky projekt do të përmirësojë cilësinë, qasjen dhe kapacitetet e shërbimeve publike shëndetësore për rreth 1.6 milion banorë”, ka thënë ministri Murati.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, kërkoi sqarime lidhur me ndarjen e mjeteve për secilin spital, mundësinë e tejkalimit të kostos së projektit dhe ndikimin që këto investime pritet të kenë në shkurtimin e listave të pritjes për shërbimet diagnostikuese, përfshirë rezonancën magnetike dhe CT-në.

“Te spitalet, përmenden gjashtë spitale: Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë dhe Prizren. Sa mjete do të ndahen për secilin, a ka ndarje buxhetore për secilin dhe sa janë këto shuma? Kosova siguron financimin shtesë, një tejkalim prej 10 për qind. Domethënë mbi 41 milionë euro do të ishte... domethënë sa, a ekziston një rrezik buxhetor apo a është planifikuar ndonjë buxhet te pjesa e kredisë, sepse kemi tash edhe buxhetin e planifikuar për 2027-n. Indikatorët numerikë në formular nuk janë plotësuar. Sa do të shkurtohen listat e pritjes për MRI dhe CT? Kemi parë që janë shtuar realisht ndoshta edhe CT-të dhe në shpërndarje për spitale, po lista e pritjes nuk rezulton me investimet që u bënë tash. Përgjegjësia sigurisht që nuk është e Ministrisë së Financave, komisionit tonë për financa, por sigurisht që qëllimi kryesor është zvogëlimi i listës së pritjes. Sa do të ndikojë kjo në listën e pritjes?”, ka pyetur ai.

E ministri Murati u shpreh se investimet janë përcaktuar në bazë të një studimi profesional dhe se marrëveshjet e kredisë janë ofruar me norma të interesit më të favorshme sesa kushtet aktuale të tregut.

“Është një studim profesional që i ka përcaktuar, tash siç e thatë edhe ju, detajet. Unë nuk mund t’i them se ku, si e tek, por bëhet fjalë për të gjitha spitalet rajonale, përfshirë edhe QKUK-në. Pra është niveli terciar dhe sekondar i shërbimit shëndetësor. Sa i përket kushteve financiare, siç e theksova edhe në fjalën hyrëse, bëhet fjalë pra për kushte koncesionare”, ka thënë Murati.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, kritikoi vendimin për financimin e këtyre investimeve përmes kredive.

“Po ajo që po bën përshtypje është që në fundament është gabim kjo lloj qasjeje. Me marrë kredi, me i blerë disa pajisje për spitale rajonale dhe me i rinovuar disa spitale rajonale është gabim. Tregon veç gjendjen në të cilën jemi si shoqëri dhe si shtet në pamundësi që me pasë kapacitete vendore që me i rinovuar ato objekte, me i përshtatur ato objekte, me i blerë ato pajisje. Mjekët po ikin, probleme bazike me furnizim me barna, sigurimet shëndetësore nuk i kemi as në perspektivë. Edhe ne tash po i kthehemi një marrëveshjeje për kredi me dy institucione prestigjioze për me blerë pajisje dhe me i rinovuar disa spitale, të cilat sipas dokumentit që unë e lexova dje, deri më 30 qershor 2030 shkojnë. Pra në katër vjetët e ardhshme do të vijnë pajisje, do të bëhen rinovime”, ka thënë Hoti.

Gjatë këtij viti, në klinikat e QKUK-së janë raportuar vazhdimisht mungesa të barnave esenciale, ndërsa pacientët janë përballur edhe me lista të gjata pritjeje për shërbime të ndryshme shëndetësore.