Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Rizvanolli is criticized for the assets of the Ministry he heads

Artane Rizvanolli

Photo: Driton Pacharada

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është përballur me akuza për keqraportim të pasurive dhe me kritika lidhur me paralajmërimet për reduktime të energjisë elektrike këtë vit. Deputeti Eman Rrahmani tha se ministrja pos që e ka lënë “Kosovën në terr” është përgjegjëse për keqraportim të vlerës së pasurive të Ministrisë. Rizvanolli i mohoi akuzat

Me përplasje dhe akuza është shoqëruar të mërkurën mbledhja e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku janë shqyrtuar gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2025.

Ministrja Artane Rizvanolli, e cila ka raportuar para anëtarëve të Komisionit, është përballur me kritika nga deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, lidhur me raportimin e vlerës së pasurive të Ministrisë dhe që e ka lënë “Kosovën në terr”.

Rrahmani e akuzoi ministren për keqraportim të pasurive, duke iu referuar gjetjeve të auditorit për mbivlerësimin e tyre në afro shtatë milionë euro.

“Kjo ministre, në raportin kur ka shkuar me auditu Zyra Kombëtare e Auditimit, e ka gjetur që në raportet financiare ka mashtruar për mbivlerësim të 7 milionë eurove të pasurive. Po ashtu, nuk i ka paraqitur 181.000 euro pronësi objekte, projekte, pra ka pasur nënvlerësim në pjesë tjetër të kësaj. Kjo është e gjetur e auditorit, të cilën nuk po e them unë, po e ka gjetur në bazë të auditimit dhe kontrollit që ju ka bërë juve si Ministri, Zyra Kombëtare e Auditimit, edhe për këtë arsye e keni opinionin të kualifikuar”, ka thënë deputeti Rrahmani.

Ndërkaq, Rizvanolli e cilësoi si dramatik interpretimin që i bëri gjetjeve deputeti Rrahmani. Ajo tha se investimet në efiçiencë të energjisë janë realizuar, ndërsa mospërputhjet në regjistrat e pasurive lidhen me procedurat administrative të bartjes dhe regjistrimit të tyre.

“Sigurisht që vlera është e madhe, mirëpo unë nuk jam e shqetësuar për faktin që investimi është kryer. Investimi është kryer si duhet dhe jemi duke folur për procedura administrative të cilat marrin kohë e të cilat në fakt ndoshta duhet edhe të rishikohet mënyra se si menaxhohen dhe si regjistrohen si procese, duke qenë se kjo është një çështje të cilën jo vetëm ne si Ministri, mirëpo të gjitha institucionet e kanë. Unë do të isha shumë e shqetësuar sikur investimi të mos realizohej ose të mos realizohej si duhet. Qysh ka ditur edhe me ndodhë në të kaluarën, deputet, mirëpo tash kjo nuk ndodh më”, është kundërpërgjigjur Rizvanolli.

Rrahmani e akuzoi ministren se po i minimizonte gjetjet e auditorit.

Ai këmbënguli se mbivlerësimi i pasurive ishte 6 milionë e 996 mijë e 517 euro, ndërsa nënvlerësimi 181 mijë e 345 euro, duke theksuar se këto gjetje kanë ndikuar në dhënien e opinionit të kualifikuar.

Ministrja e kundërshtoi sërish Rrahmanin, duke sqaruar se bëhet fjalë për investime në efiçiencë të energjisë të realizuara në komuna.

Ajo mohoi që këto gjetje nënkuptojnë fshehje apo mashtrim.

“Ne të gjithë këtu, besoj rreth kësaj tavoline, besoj edhe publiku po e kupton për çfarë është fjala. Nënvlerësimi është gjetur për arsye se figurojnë te ne investime në efiçiencë të energjisë, të cilat janë bërë në Komunë të Drenasit, Mitrovicës e ku e di unë. Sigurisht që këto nuk janë pasuri të Ministrisë së Ekonomisë dhe që duhet të barten dhe janë në proces, në fakt shumica e tyre tanimë janë bartur, mirëpo ta interpretosh këtë si një të gjetur dramatike, fshehje mashtrime...”, ka thënë ajo.

Në Komision, ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli, është përballur edhe me kritika lidhur me paralajmërimet për reduktime të energjisë elektrike këtë vit.