Ekonomi

Qytetarët dyshojnë në atë që konsumojnë. Në AUV thonë se s’ka produkte të dyshimta

Ndalesa e disa produkteve të vendeve të rajonit për t’u shitur në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ka ngritur dyshime për prezencën e tyre edhe në Kosovë. Prodhimet nga rajoni i shohin me dyshim edhe tregtarët. E në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës thonë se nuk ka prezencë të produkteve të ndaluara dhe se kontrolle bëhen në mënyrë sistematike.

Ndalesa që disa vende të Bashkimit Evropian u kanë bërë specave, nektarinave e kremit të fëstëkut me origjinë nga Shqipëria, por edhe disa produkteve të Maqedonisë së Veriut e Sllovenisë, ka ngjallur dyshime edhe te qytetarët e Kosovës për atë se çfarë po konsumojnë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës, nga vendet e CEFTA-s.

E qytetarët druajnë se produktet e ndaluara në BE, mund të jenë prezentë edhe në tregjet kosovare.

“Ka mallra me afat të skaduar, ndonjëherë bëjnë edhe vetë rikuperim të tiketave të mallrave, për atë përgjigjet me siguri Ministria e Bujqësisë, është ajo që cakton që të mos kemi dyshime shumë”, ka thënë Rrezak Jakupi.

“Unë jam marrë me bujqësi dhe kam mbjellë bahçen tem, e di qysh i kam rritë e qysh është… një domate po vjen një kilogram nuk u rrit prej natyrës, po i rrit me pesticide e me këso gjërash”, ka deklaruar Muhamet Makolli.

Dyshimet për cilësinë e produkteve nga vendet e rajonit i shprehin edhe disa tregtarë në kryeqytet.

“Nga vendet e Bashkimit Evropian e importojmë mallin. Nga Shqipëria nuk e kemi marrë, por i kemi mësuar edhe klientët me mall nga Bashkimi Evropian dhe për atë arsye nuk kemi punuar me Shqipërinë fare. Unë iu kam bërë thirrje AUV që të bëjë kontrolle më rigoroze në kufi pasi ka dyshime që ka mall me pesticide”, ka thënë Driton Vitija.

Ata që importojnë mall nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit, nuk pranuan të flasin rreth dyshimeve për cilësinë e mallrave.

Sistemi RASFF i Komisionit Evropian njofton për ngarkesat me produkte që ndalohen shkaku i dyshimeve për cilësi. Në mesin e tyre, figuron edhe ndalesa për miellin e grurit me origjinë nga Sllovenia.

Por, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës thanë se pas verifikimit është konstatuar se nuk ka import të asnjë sasie të miellit të grurit me llojin e paraqitur aty.

Sipas Agjencisë, në tregun kosovar nuk ka prezencë as të produkteve që janë ndaluar nga vendet e Bashkimit Evropian.

E disa tregtarë thonë se produktet vendore janë më të sigurta.

“Krejt vendore i ke. Shumica janë natyrale. Disa janë edhe të serave, por janë krejt vendore dhe çmimi është i volitshëm i tyre”, ka thënë Agim Neziri.

Por, prapa kamerave disa nga ta pranojnë se ato nuk kontrollohen nga askush.

Ndryshe thonë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës. Sipas këtij institucioni, edhe prodhimet vendore kontrollohen rregullisht sipas Planit Nacional të Inspektimeve që trajton çështjet e sigurisë së produkteve bujqësore vendore.

“Aty merren mostrat e të gjitha llojeve të prodhimeve vendore dhe dërgohet për analiza laboratorike, kryesisht për përcaktimin e mbetjeve të pesticideve, me qëllim sigurimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe garantimin e sigurisë ushqimore”, thuhet në përgjigjen e AUV-së.

E raporti i Komisionit Evropian për vitin e kaluar, ka theksuar se burimet financiare dhe njerëzore të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës mbeten të pamjaftueshme për të zbatuar legjislacionin e BE-së që ka të bëjnë me siguri ushqimore.