Ekonomi

Qorrolli: Rritja e pensioneve është ofenduese, të moshuarit po trajtohen për lëmoshë

Adem Qorrolli

Adem Qorrolli ishte i ftuar në lidhje direkte gjatë emisionit "SOT" në KTV

Adem Qorrolli, njohës i çështjeve të ekonomisë, ka deklaruar se rritja e pensioneve për 20 për qind është ofenduese nga Qeveria e Kosovës, duke shtuar se Kosova është larg vendeve të Ballkanit sa i përket skemave pensionale.

Ai ka thënë të martën në “SOT” të KTV-së se të moshuarit janë atakuar disa herë nga Qeveria për shkak se rritja e fundit e pensioneve është bërë katër vjet më parë.

VIDEO:

“Pensionet apo shtesat sociale konsiderohen me pagën minimale dhe s’duhet të jenë më të larta ose më të ulëta. 110 euro me 300 euro kanë dallim të madh. Konsiderohet se i moshuari ka nevojë për më shumë, por kjo rritja për 20 për qind është ofenduese. Po të ishte vjetore, pak a shumë do t’iu afrohemi vendeve të Ballkanit. Jemi vendi i vetëm në Ballkan me pensione të ulëta. Kjo moshë është atakuar shumë herë, duke filluar nga vitet e ’90-ta kur u lanë pa punë. Ne po i dëmtojmë ata me diçka që mund të bëjmë më mirë”, ka deklaruar Qorrolli.

Qorrolli është shprehur se me inflacionin dhe rritjen e çmimeve në të gjitha produktet bazë, rritja e pensioneve prej 20 për qind “mund të quhet lëmoshë apo satirikë e ministrit të Financave”.

“...Mund të themi që pensionistët i kanë ndarë si strukturë e lëmoshës, e është turp. Politikat fiskale na bëjnë që shteti të jetë i pasur e qytetarët të jetojnë të varfër. Kjo është skema e kësaj Qeverie, buxhet ka por këto rilokime që po i bëjnë janë të gabueshme. Të ardhurat po shkojnë për import, e asnjë investim kthimi s’kanë”, ka shtuar ai.