Vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2026, Kosova ka importuar mallra në vlerë afro 3 miliardë, duke shënuar rritje prej afro 162 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Gjermania, Kina dhe Turqia janë tri shtetet nga të cilat Kosova ka importuar më së shumti mallra. Në këtë periudhë pati edhe rritje të eksporteve, ani se prezenca e mallrave kosovare në tregun e huaj vazhdon të jetë e kufizuar
Mallrat nga Gjermania, Kina dhe Turqia vazhdojnë ta dominojnë tregun kosovar.
Për pesë muaj nga këto tri vende u importuan mallra në vlerë prej 1 miliard e 131 milionë eurosh që përbëjnë rreth 38 për qind të të gjitha importeve. Në këtë periudhë, importe u bënë në vlerë afro 3 miliardë, duke shënuar një rritje prej afro 162 milionë eurosh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë dhënat e Doganës dhe Agjencisë së Statistikave kanë treguar se gjatë muajit maj janë importuar mallra në vlerë prej 635 milionë eurosh apo mbi 5 për qind më shumë sesa në majin e vitit të kaluar.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë: makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, produktet minerale, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, mjetet e transportit, metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.”, thuhet në publikimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Të dhënat e Doganës për periudhën janar-maj kanë treguar se pati edhe rritje të prezencës së prodhimit vendor në tregjet ndërkombëtare.
Mallrat me mbishkrimin “Made In Kosova” kanë arritur vlerën prej 419 milionë eurosh apo një rritje prej 16 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Në maj janë eksportuar mallra në vlerë prej 94 milionë eurosh, që krahasuar me muajin prill ka një rënie të lehtë prej 4 milionë eurosh.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit e përbëjnë: metalet bazë dhe artikujt prej tyre, plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, artikuj të ndryshëm të prodhuar, produktet minerale, etj.”, thuhet në publikimin e ASK-së.
Përkundër rritjes së eksporteve, deficiti tregtar vazhdon të jetë i lartë, duke treguar varësinë e madhe të Kosovës nga mallrat e importuara.
Në vitin 2025 janë importuar mallra në vlerë prej 7 miliardë eurosh, ndërsa janë eksportuar më pak se 1 miliard.
Varësinë nga importi e ka theksuar edhe një raport i Ministrisë së Tregtisë, i publikuar së fundmi. Raporti identifikon tri grupe produktesh për të zgjeruar eksportet.
Aty përmenden produktet e avancuara ndërtimore, produktet e përpunuara bujqësore dhe ato me bazë druri.
“Produktet prej druri dhe mobiliet dalin si kategoria më e fortë dhe më konkurruese strukturore e eksportit të Kosovës. Qasja pa tarifa, rregullat e thjeshta të ndryshimit të origjinës (heading), dhe kërkesat e menaxhueshme jotarifore favorizojnë fuqishëm përpunimin e drurit në fazat e mëtejshme dhe prodhimin me vlerë të shtuar. Performanca e eksportit tregon rritje të qëndrueshme në mobilie, sedilje të tapiciruara, dhe struktura druri të parapërgatitura, me Zvicrën dhe Gjermaninë si tregje kryesore të vlerës dhe tregjet e CEFTA-s që sigurojnë stabilitet të volumit”, thuhet në raportin e MINTI-t.
Sipas këtij raporti, sfida kryesore politike dhe industriale nuk është qasja në treg, por mbështetja e firmave për të përmbushur standardet, për të diversifikuar tregjet dhe për ta zgjeruar prodhimin.