Eksporti ka qenë në rënie derisa importi në rritje gjatë gushtit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Eksporti i mallrave në gusht 2025 kishte vlerën 76,2 milionë euro, ndërsa importi 613,1 milionë euro, njoftoi Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Sipas ASK-së, të dhënat tregojnë se nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për deficit tregtar prej 7.7% në gusht 2025 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë 536,8 milionë euro krahasuar me deficitin prej 498,5 milionë euro më 2024.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 23,4 milionë euro, ose rreth 30,7% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-2,6). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11,4%), Holanda (2,4%), Italia (2,1), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 261,7 milionë euro, ose 42,7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7,7%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,0%), Italia (4,2%), Polonia (3,9%), etj.
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 38,2 milionë euro, ose 50,1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-12,6%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (22,4%), Maqedonia e Veriut (13,0%), Serbia (7,7%), Mali i Zi (5,2%),
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 77,9 milionë euro, ose 12,7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 4,5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,1%), Shqipëria (3,6%), Serbia (3,0%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 14,7 milionë euro, ose 19,2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,5%) dhe Turqia (3,7%).
Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 273,5 milionë euro, ose 44,6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (14,5%) dhe Turqia (12,9%).