Frenimin e rritjes së çmimeve në këtë kohë krize, profesorë të ekonomisë e drejtues të shoqatës “Konsumatori” thonë se nuk mund ta ndalë Ligji për çmimet tavan që ka marrë aprovimin e Qeverisë, por ende jo të Kuvendit. Sipas tyre, heqja e akcizës dhe TVSH-së për derivate do të ishte lëvizje e duhur e Qeverisë në këtë kohë
Rritja e çmimit të naftës, e nxitur nga përshkallëzimi i luftës në Iran, ka prodhuar një efekt zinxhir në treg, duke çuar në shtrenjtimin e produkteve bazë të konsumit.
Në tregun e Kosovës, një kilogram speca ka shkuar deri në 6 euro, ndërsa për një kilogram domate qytetarët duhet të paguajnë deri në 4 euro.
Sipas qytetarëve, kjo ngritje e çmimeve është bërë e papërballueshme.
“Unë bajagi i frekuentoj edhe marketet, edhe tregun, më të shtrenjta janë çmimet në treg se në markete. Marketet po marrin aksione nganjëherë dhe po bien çmimet, e sot e pashë domatja e zezë pesë euro një kilogram, për ne është e papërballueshme. Në përgjithësi çmimet janë shumë të larta në krahasim me të ardhurat te ne në Kosovë si janë”, ka thënë Hasan Shala, qytetar.
Njëjtë janë shprehur edhe Enver Shabani e Ismet Jakupi.
“Zor po i përballojmë, por edhe këta nuk kanë faj”, ka thënë Shabani. “Për pensionistët është mjaft vështirë, se me 150 euro çka me ba”, ka shtuar Jakupi.
Edhe
Inflacioni arrin në 6.7 për qind, në markete edhe më shtrenjtë se të dhënat e marsit
Qeveria e Kosovës së fundmi ka miratuar Projektligjin për çmimet tavan, me të cilin synohet stabilizimi i çmimeve të konsumit, por ai nuk është miratuar ende në Kuvendin e Kosovës për të hyrë në fuqi.
E sipas Shoqatës së Konsumatorëve, nga ky ligj nuk mund të priten rezultate pozitive.
“Ne kemi përvoja shumë të liga me ligjet, zbatueshmëria e ligjeve në Republikën e Kosovës është akoma nën 40% dhe në këtë klimë zbatueshmërie të ligjeve, çfarë mund të presim nga ky ligj? Nuk mund të presim asgjë”, ka thënë Selatin Kaçaniku, kryetar i organizatës “Konsumatori”.
Edhe profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka thënë se ky ligj nuk e zgjidh problemin.
Misini është shprehur se heqja e akcizës dhe TVSH-së do të ishte lëvizje e duhur në këtë kohë nga ekzekutivi.
“Mirëpo faktori i dytë është faktori i Qeverisë, për shkak se Qeveria po nxit prodhimin e inflacionit duke mos e hequr akcizën. Shumica e vendeve më të zhvilluara të botës kanë bërë lëvizje në akcizë, i vetmi vend është Kosova që nuk ka bërë një lëvizje të tillë. Kjo lë me nënkuptuar që kryeministrit nuk i intereson heqja e akcizës, por i intereson mbushja e buxhetit, aq sa ka mjetet financiare marramendëse në buxhet. Dhe me mburrje po thotë që buxheti i Kosovës do të arrijë në 5 miliardë ose diçka e tillë, dhe këto mjete financiare po i merr në sasi paraje”, ka thënë Misini.
Edhe
Për një javë nafta u shtrenjtua 14 centë, ekonomistët shtrojnë nevojën për masa
Ai ka thënë se në markete kanë lëvizur çmimet mbi 20% te të gjitha produktet.
Në muajin shkurt të këtij viti, inflacioni sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës ishte 6 për qind.