Raporti më i fundit i Fondit Monetar ndërkombëtar për Evropën ka parashikuar ngritje më modeste për kontinentin, shkaku i moshës së popullatës e uljes së prodhimtarisë. Në grupin e shteteve, ku bën pjesë Kosova, sipas projeksionit të FMN-së pritet të ngrihet tutje çmimi i ushqimit dhe energjisë.
Çmimet e ushqimit dhe ato të energjisë e përbëjnë shtysën kryesore të inflacionit në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE), ku bën pjesë edhe Kosova, thuhet në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Në të FMN-ja ka paraparë rritje 3.9 për qind të ekonomisë së Kosovës për sivjet. Në bazë të raportit, vendet që kanë varësi në import të rrymës janë më të prira që të përjetojnë shok me çmimet e saj.
“Çmimet e mallrave janë shtyrësi kryesor i inflacionit në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE). Shoku i çmimeve kontribuon deri në 35 për qind në variabilitetin e inflacionit pas një viti. Shok në çmime të energjisë ka më shumë në ato shtete të CESEE ku ka varësi më të madhe në importin e energjisë, intensitet të lartë të energjisë, dhe diversifikim të kufizuar të burimeve të energjisë. Ngjashëm, çmimet e ushqimit e përbëjnë deri në 20 për qind të variabilitetit të inflacionit në shumë shtete”, thuhet në raportin e FMN-së.
Raporti u publikua në sesionin vjeshtor të takimeve të FMN-së.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka qenë mysafir i rregullt i takimeve, por jo edhe në këtë ku ka marrë pjesë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.
Në bazë të të dhënave të sivjetme të Agjencisë së Statistikave ka pasur ulje prodhimi të rrymës e rritje konsumi. Çmimi i rrymës në Kosovë sivjet është rritur si për konsumatorët, ashtu edhe për bizneset. E sipas të dhënave të ASK-së në tremujorin e dytë ka pasur rritje të importit me 46 për qind.
Përveç për Kosovën, edhe për Evropën, FMN-ja ka paraparë rritje më të dobët. Evropa, sipas raportit, i ka bërë ballë shokut disa herë, por dëmi nga këto goditje ka filluar t’i tregojë shenjat – teksa parashikimi për rritjen e produktivitetit të Evropës në 5 vjetët e ardhshëm është 1 për qind.
Arsye për këtë, sipas FMN-së, është mungesa e produktivitetit dhe fuqisë punëtore – shkaku i moshës së popullsisë.
“Rritja e Evropës pritet të mbetet e ngadaltë në planin afatmesëm, kryesisht për shkak të rritjes së ulët të produktivitetit dhe dobësimit të ofertës së punës. Rritja e dobët dhe në rënie e produktivitetit paraqet pengesën më të madhe të Evropës për rritjen, veçanërisht në vendet me ekonomi të avancuar. Forca punëtore e Evropës po tkurret me plakjen e popullsisë”.
FMN-ja i ka rekomanduar Evropës që ta rrisë produktivitetin, ta stimulojë inovacionin dhe ta thellojë integrimin brenda tregut unik evropian.
E rritja e ekonomisë së Kosovës është ngadalësuar për herë të parë që nga pandemia e koronavirusit. Në vitin paraprak ka rënë për 0.7 pikë të përqindjes, por mbetet ende më e larta në rajon me afro 4 për qind rritje.