Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paraparë rritje ekonomike prej 3.9 për qind për ekonominë e Kosovës. Rritja është më e larta në rajon, por krahasuar me vitin paraprak ka rënie për 0.7 pikë të përqindjes. Për vitin e ardhshëm, FMN-ja ka paraparë frenim të inflacionit në produktet bazë
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parasheh rritje ekonomike 3.9 për qind për vitin 2025.
Ngjashëm me Bankën Botërore, që këtë shifër e kishte 0.1 pikë të përqindjes më pak, edhe kjo organizatë ndërkombëtare në raportin e “Global Outlook” parasheh ngadalësim të rritjes së brutoproduktit vendor, krahasuar me vitin paraprak.
Megjithëkëtë, Kosova del me rritje më të madhe sesa vendet e rajonit.
Sipas raportit, Kosova do të ketë rritje të brutoproduktit vendor 3.9 për qind, e në vitin e ardhshëm 4.0 për qind. Ndërkaq Shqipëria dhe Bosnjë- Hercegovina do të pësojnë ulje identike për 0.6 pikë të përqindjes, Mali i Zi do të mbetet në kuotën e njëjtë me vitin e shkuar, Serbia do të bjerë për 0.5 pikë të përqindjes, ndërkaq rritje do të ketë vetëm Maqedonia e Veriut, nga 2.8 për qind sa e kishte rritjen në 2024-n, në 3.4 sivjet.
Për vitin 2025, FMN-ja parasheh edhe rritje të inflacionit në çmimet e konsumit. Ndërkaq për vitin e ardhshëm është parashikuar ngadalësim i rritjes së këtyre çmimeve.
Shkalla e rritjes së çmimeve për sivjet në Kosovë parashikohet të jetë 3.5 për qind. Vitin e shkuar inflacioni ishte 1.6 për qind, ndërsa në vitin e ardhshëm parashihet të jetë 2.7 për qind.
Nga vendet e rajonit, me shkallën më të lartë të inflacionit pritet të përballet Serbia, me 9 për qind.
Për vitin 2025 parashihet rritje ekonomike globale prej 3.2 për qind, ndërsa 3.1 për qind për vitin 2026.
Për tregjet në zhvillim dhe në rritje në Azi parashihet rritje më e madhe sesa për ato në Evropë. Por, Eurozona pritet të shënojë rritje nga 0.9 në 1.2 më 2025-n, ndërsa 1.1 për qind në vitin 2026.