Është rritur mbi 7% deficiti tregtar i Kosovës gjatë 2024-s krahasuar me një vit më parë, bazuar në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Sipas ekonomistëve dhe përfaqësuesve të bizneseve, ky trend do të vazhdojë edhe këtë vit
Sipas ASK-së, vlera e eksportit gjatë vitit që shkoi ishte mbi 941 milionë euro, teksa importi mbi 6 miliardë euro.
“Duke krahasuar të dhënat e eksporteve për mallrat kosovare gjatë vitit 2024 me atë të vitit 2023, shifrat tregojnë se ka një rritje vjetore për 9.1%, rritje e cila ka edhe më tutje bilancin negativ tregtar të Kosovës. Ndërsa të dhënat e tregtisë së mallrave për importin e Kosovës në vitin 2024 kanë shënuar një rritje vjetore rreth 7.7%, duke krahasuar me vitin paraprak 2023”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Ekonomisti Fidan Qerimi thotë se deficiti tregtar është rritur si pasojë e mungesës së përkrahjes së produkteve vendore.
“Fatkeqësisht Qeveria bashkë me organizatat biznesore nuk janë ulur që të krijojnë politika të brendshme ekonomike që t’i favorizojnë ose t’i japin mundësi të rriten bizneset tona që të krijojnë produkte më konkurruese për konsum të brendshëm”, ka thënë ai.
E në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë se edhe këtë vit vendi do të përballet me sfida ekonomike, si pasojë e fuqizimit të vendimit për liberalizim të tregut të energjisë për bizneset me mbi 50 punonjës ose mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor. Vendimi ka hyrë në fuqi më 1 qershor.
“Deri tash mbështetja e institucioneve ndaj bizneseve ka qenë shumë e ulët dhe veprimet për t'i ndihmuar ato kanë qenë të ngathëta e të pakta. Fatkeqësia është që edhe këtë vit do të përballemi me telashe, si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë dhe liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, pasojat negative të së cilit tashmë jemi duke i vërejtur”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Rritje të shifrave të deficitit tregtar për këtë vit ka paralajmëruar edhe ekonomisti Qerimi.
“Do të thellohet ky deficit tregtar në aspektin e energjisë, sepse kostoja e prodhimit të energjisë elektrike tek ne është më e ulët sesa ajo që ne e importojmë energjinë prej jashtë vendit. E shto këtu edhe konkurrencën jo të mjaftueshme në tregun e energjisë, që janë një numër jashtëzakonisht i vogël i kompanive që shesin energjinë elektrike në vendin tonë”, ka thënë Qerimi.
Në publikimet e ASK-së figuron se gjatë 2024-s Kosova gjysmën e mallrave e ka importuar nga shtetet e Bashkimit Evropian, që në total kapin shifrën prej 3 miliardë eurove, derisa drejt tyre ka dërguar mallra në vlerë prej 312 milionë euro.