COSMO

Të penduarat prapa grilave

Që nga viti 2009, e tutje mbi 300 persona janë falur nga Presidenca, derisa paraardhësi i presidentes Vjosa Osmani, ish-presidenti Hashim Thaçi, kishte falur mbi 10 të burgosur gjatë mandatit të tij. Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, 1746 persona, shumica burra po vazhdojnë të jenë të privuar nga liria. E ata po vazhdojnë të qëndrojnë brenda, me shpresën që dritën e lirë ta shohin një ditë

Tingulli i hapave dëgjohet fuqishëm në korridorin e ngushtë të Qendrës Korrektuese për Femra dhe të Mitur në Lipjan.

Muret e larta, të ndërtuara me beton të ftohtë dhe të paemër, duken si një kujtesë e ftohtë e kufizimeve të pafundme që vendosin mbi jetët e atyre që qëndrojnë brenda. Është një botë që ka ndarë çdo shpresë dhe dëshirë për të jetuar lirshëm.

Zhurma e hapa të ndryshëm krijojnë një simfoni monotone, ndërsa hapja dhe mbyllja e grilave të hekurt janë të vetmit tinguj që kujtojnë se gjithçka është e mbyllur dhe e kontrolluar.

Për të burgosurit, jeta është një lundrim në një det të pafund të rutinës dhe padurimit.

E mbyllur prapa katër grilave, është edhe Sanije Mursiqi.

Ajo thotë se është e detyruar të kalojë ditë të tëra brenda qelive të ngushta, që asaj i shërbejnë si shtëpi dhe vend i punës në të njëjtën kohë.

“Një ditë e imja është ia filloj punën në ora 7:00 në mëngjes deri në ora 12:00 më pas deri në ora 15:00 shkojmë në pavijon, prapë kthehemi këtu në kuzhinë për të punuar deri në ora 20:00. Unë i pastroj enët këtu, e pastroj kuzhinën. Largimi prej shtëpisë ka qenë pak i vështirë, por kur e din që ke me qëndru pak këtu, e tejkalon por nëse je më shumë është më e vështirë”, thotë Mursiqi.

Muret janë të zbrazëta, një krevat i palosshëm dhe një tavolinë e vogël janë të vetmet objekte që mund të ofrojnë për ta pak ngushëllim.

Për të burgosurit, burgjet ofrojnë mundësi për të lexuar libra, për të shkruar apo edhe për t’i promovuar ato, në prani të të burgosurve të tjerë.

“Unë jam qe 3 vjet e gjysmë në burg edhe 3 vjet e gjysmë i kam, këtu kohën e lirë lexoj libra më shumë sepse i kam më shumë në qejf, tash ia kam fillu me lexu një libër, e libri im i parë i botuar është ‘E mbyllur në vetmi’”, u shpreh një e burgosur, pa dashur të identifikohet.

Ata që kalojnë këtu, nuk janë thjesht të ndarë nga shoqëria, por shpesh ndihen të ndarë nga vetvetja.

Lidhjet me botën jashtë janë të kufizuara, dhe koha sipas tyre, duket se kalon në një ritëm më të ngadalshëm sesa ndodh jashtë.

Pas çdo vizite me familjarë e miq, ato thonë se është një moment shprese dhe ngushëllimi, por ato konsiderojnë se edhe këto momente janë të rralla dhe të shkurtra.

“Vizitat me familje janë të vështira, por kur flet me ta, kur i takon nuk dua m’i mërzit edhe ata, mundohem të përmbahem e jo me lëshu veten, edhe pak ndoshta më lirojnë sepse rasti im është pak i komplikuar sepse është rasti edhe i aksidentit. Nuk jam fajtore se ka qenë edhe vozitësi e nuk është dënuar, nuk është dënuar mjekja familjare e që ka ndikuar tek unë, pasojat i barti në përgjithësi, po e shihni si dukem, rasti është edhe i mjekes e ata nuk janë dënuar, por vetëm unë i kam bartur pasojat”, thotë e burgosura.

Pas kësaj, çdo ditë kthehet në një shteg të paemër që nuk ka fund.

“Është shumë e rëndë, për shkak që vendi është i errët, të jep negativitet, të sjell ftohtësi, nuk më pëlqen por sa i kom duhet me shty në një farë mënyre me kalu kohën”.

Qëndrimi brenda katër mureve bëhet më i zymtë për të burgosurit, në prag të festave. Madje, më e vështirë bëhet kur gëzimet nuk i kalojnë bashkë me të dashurit e tyre.

“Vështirë është për festa, tash më është bërë edhe pushimi, por që është shumë vështirë sepse ki qejf me festu me familje, familja është më e afërt, e ndien mungesën edhe mërzitesh kur e sheh që je vetë këtu për festa, sepse nuk urohen si t’i uron familja”, shtoi kjo e burgosur.

Për të burgosurën Sanije Mursiqi, koha kalon shpejt kur ditët e lirisë janë afër, dhe çdo moment i kaluar në pritje bëhet një kujtim i çmuar që sjell shpresë dhe ngushëllim.

“Kjo ka qenë hera e parë larg familjes, por nuk ka qenë e vështirë, sepse dy muaj shkojnë shpejt, kalojnë dhe nuk e kam një vepër të rëndë është një mosmarrëveshje me familjen dhe më kanë detyruar të hyj këtu, por shpresoj që shpejt do të shkojnë ditët, kalojnë”, thotë Mursiqi.

Në këtë qendër ku 21 gra janë të dënuara e 9 të paraburgosura, sfidë vazhdon të jetë mungesa e një hapësire të veçantë për gratë me çrregullime mendore.

Sipas raport monitorimit të vitit 2023, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, që është publikuar në maj të këtij viti, thuhet se mungesa e kësaj hapësire, është në kundërshtim me standardet ligjore të të drejtave të njeriut.

“Shqetësimi kryesor që e kemi pas në trajtimin e grave në Lipjan, duke pasë parasysh që për gra ekziston vetëm ai institucion korrektues dhe nuk ka mundësi lëvizjeje në institucionet e tjera. Kështu që të gjitha kategoritë e grave dhe vajzave mbahen në atë institucion gjë që është edhe në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi dhe me standardet e të drejtave të njeriut, pra për gratë me çrregullime mendore që janë në ndesh me ligjin, që kryejnë një vepër penale nuk ka hapësira të veçanta dhe ato vendosën së bashku me gratë e tjera që gjenden qoftë në vuajtje të dënimit apo qoftë në masën e paraburgimit. Për më tepër në rastet që kanë provuar të bëjnë tentim vetëvrasje apo me lëndu vetveten, ato i vendosin në dhoma me të burgosurit e tjerë, ku të burgosurat e tjera shpeshherë kanë paraqitur ankesat e tyre, sepse ka qenë jeta e padurueshme me qëndru vazhdimisht me një person me çrregullime të rënda të shëndetit mendor”, thotë Fatmir Haliti, monitoruese në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Zëvendësdrejtoresha e kësaj qendre, Leonora Sahiti thotë se në mungesë të hapësirës në Qendrën e Forenzikës, transferimi i tyre bëhet në Qendrën e Paraburgimit për Femra dhe të Mitura në Lipjan.

“Kjo është sfidë e jona shumë e madhe, sidomos kur kemi femra me çrregullime mendore, kur gjykata iu shqipton edhe masën e paraburgimit edhe trajtimin e detyrueshëm psikiatrik. Zakonisht në shumicën e rasteve në Forenzikë nuk ka vend dhe na sjellin neve këtu, kjo është sfidë e madhe edhe për ne, edhe për stafin që punon me to, sepse ky nuk është vend adekuat për trajtimin e atyre kategorive që janë”, deklaroi Leonora Haliti.

E drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, thotë se me ndërtimin e një qendre të re për femra dhe të mitur, do të krijohen hapësira edhe për personat me çrregullime mendore.

“Ne kemi filluar ndërtimin e Qendrës Korrektuese për Gra atje, në kuadër të këtij institucioni sigurisht që do të ketë hapësira të veçanta edhe për trajtimin e kësaj kategorie. Po flasim për institucionin për trajtim i cili ka qenë i paraparë me ligj qysh në vitin 2014, por që ende nuk ishte funksionalizuar, falë mbështetjes amerikane fillimisht si projekt ideor, pastaj edhe mbështetjes së Qeverisë së Kosovës me buxhet, punësimit të stafit të ri atje, sot është funksional dhe është model”, u shpreh Dibrani.

Për ndërtimin e një Qendre të re Korrektuese për Femra, QKMRT-ja rekomandoi edhe në raportin e vitit 2023.

Sipas raportit, objekti ku janë të vendosura të paraburgosurat dhe të dënuarat nuk i plotëson kushtet adekuate të infrastrukturës. Në raport, thuhet se objekti është mjaft izolues.

Mirëpo të burgosurit thonë se nuk është gjithçka e errët dhe e humbur. Disa prej tyre përpiqen të shfrytëzojnë mundësitë për t’u rritur dhe për t’u edukuar.

Zëvendësdrejtoresha Leonora Sahiti thotë se gratë e privuara nga liria, janë krijuar programe për rehabilitimin e individëve, ku ata mund të mësojnë zanate, të zhvillojnë aftësi profesionale dhe të kuptojnë më mirë vetveten dhe gabimet e tyre.

“Femrat brenda ditës me qëllim të risocializimit dhe riedukimit të tyre, pasi që është edhe qëllimi dhe misioni i vetë shërbimit korrektues janë të angazhuara në punë, si në frutari, në kuzhinë, rrobaqepësi. Në këtë qendër ka edhe trajnime të ndryshme si filigrani në letër, artizanatin që e kanë përfunduar të filigranit shumë më herët, kanë trajnimin e rrobaqepësisë, trajnimin e floktarisë dhe të gjitha këto janë me qëllim të riedukimit dhe të risocializimit të tyre. Të drejtat dhe privilegjet i gëzojnë sipas kategorisë që janë të ndara”, thotë Leonora Haliti.

Në këtë objekt, që më parë ishte vetëm një hapësirë e thjeshtë, ndonëse nuk është funksionalizuar, është improvizuar salla e gjykimit, një hapësirë ku të burgosurit do të kenë mundësinë të mbyllin kapituj të rëndësishëm të jetës, duke e përfunduar gjykimin në një vend ku drejtësia dhe shpresa mund të bashkohen për një fillim të ri.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, tha se kjo hapësirë nuk është funksionalizuar si shkak i vazhdimit të trajtimit të stafit për përdorim të pajisjeve.

“Ne kemi funksionalizuar, kemi instaluar salla të gjykimeve, por që mund të shfrytëzohen edhe për nevoja të shërbimit korrektues të Kosovës në të gjitha institucionet korrektuese. Është projekt, pra donacion i Ambasadës Amerikane në vlerë 5 milionë euro, ku jemi në fazën e trajnimit të stafit, i cili ka nënshkruar marrëveshje me Këshillin Gjyqësor dhe pas përfundimit të trajnimit të stafit për përdorimin e këtyre video-konferencave, të këtyre pajisjeve, ne do të fillojmë menjëherë, sepse tashmë është nënshkruar edhe marrëveshja”, shtoi Dibrani.

Pavarësisht se kanë kryer vepra penale dhe po vuajnë pasojat e mungesës së lirisë, ato që janë penduar dhe kanë rifituar shpresën për jetën e ardhshme, kanë një mesazh të fuqishëm për të gjithë.

“Iu bëj apel të gjitha femrave më pak dhunë në familje, më shumë dashuri për familje, më shumë respekt për nënat tona, motrat tona, nuk do të thotë që të bëjnë diçka të mbyllen, edhe pse të gjitha të mirat janë këtu, por vetëm emri burg është i mbyllur. Në ora 20:00 kur mbyllesh në burg është shumë keq për ty, sepse deri në mëngjes je e mbyllur”, thotë e burgosura Mursiqi.

Të burgosurat, me zemra të mbushura me pendesë dhe shpresë, bënë një kërkesë për faljen e tyre, duke kërkuar mundësinë për të filluar një kapitull të ri në jetën e tyre. Larg gabimeve të kaluara, dhe për t’u kthyer në shoqëri si individë të ripërtërirë dhe të përgjegjshëm.

“Vendimi i presidentes është i paarsyeshëm, sepse duhet me ia japë njeriut një mundësi të dytë, nuk është vendim i duhur. Duhet të burgosurit me ia shiku sjelljet që i ka në burg personi, që punon që është përmirësuar, duhet me bë falje, duhet lëshime, duhet një mundësi të dytë me pasë njeri”, u shpreh një e burgosur në kushte anonimiteti.

Deri më tani, 91 kërkesa nga persona që janë duke vuajtur dënimet e tyre në burgje të Kosovës, kanë shkuar në adresë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, për t’iu drejtuar Presidencës për të kërkuar faljen e tyre.

Ndonëse nga Presidenca nuk kthyen përgjigje për KOHËN, nëse do të aprovohen kërkesat e të burgosurve, drejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, thotë se një përgjigje pozitive e presidentes Osmani, do të sillte një motiv pozitiv për të burgosurit.

“Ne nuk kemi mandat të komentojmë vendimin e presidentit, por sigurisht që do të ishte mirë që kërkesat e të burgosurve në përgjithësi të trajtohen dhe të respektohen, sepse vetëm këtë vit kemi 91 kërkesa, por ende nuk kemi pranuar asnjë dekret nga presidentja, do të ishte një motiv shtesë sikur presidentja do të shfrytëzonte këtë mekanizëm ligjor, natyrisht që të burgosurit të kenë edhe sjellje më të mira edhe motiv për jetë më shumë”, deklaroi Dibrani.

Që nga viti 2009, e tutje mbi 300 persona janë falur nga Presidenca, derisa paraardhësi i presidentes Vjosa Osmani, ish-presidenti Hashim Thaçi, kishte falur mbi 10 të burgosur gjatë mandatit të tij.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, 1746 persona, shumica burra po vazhdojnë të jenë të privuar nga liria.

E ata po vazhdojnë të qëndrojnë brenda, me shpresën që dritën e lirë ta shohin një ditë.