COSMO

Ismail Kadareja – shkrimtari i përbotshëm i shqiptarëve

Kur Shqipëria kishte nisur të prekte kulmin e izolimit, raporti i saj dhe i shqiptarëve me kulturën e botës, nisi të frymonte. Kësaj radhe jo me ndonjë studiues a albanolog të huaj që kishte kureshtje për këto anë. Filli i një marrëdhënieje të re po lindte prej brenda.

Në vitet ’60, Shqipëria kishte ndërprerë marrëdhëniet me bllokun lindor.  Ishte ofruar me Kinën dhe kishte shkuar deri në nivelin sa u shpall edhe zyrtarisht shtet ateist. Shihej si pikë e zezë në Evropë. 
Por në atë dhjetëvjeçar, një penë e re në letërsi po dëshmonte talent si askush tjetër. Shpejt, Evropa do të shihte një tjetër Shqipëri. Atë ku shkruhet në nivel të autorëve më në emër të Kontinentit të Vjetër. Atë të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” e rrëfimeve të tjera ku historia e shqiptareve vjen elegante dhe me stil. 

Aty kultura shqiptare po kalonte një prag të madh: Letërsia shqipe po u bashkohej atyre të mëdha, të përbotshmeve. 

Dhe, kjo u bë nga Ismail Kadareja... 

“Ishte një befasi edhe për kulturën frënge. Deri atëherë kishim pak letërsi shqipe të përkthyer, ishte përkthyer për shembull, Migjeni që ishte çmuar për motivet sociale e aspekte të tjera. Por nuk ishin mësuar me një letërsi shpërthyese si atëherë ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ dhe po përgatitej ‘Kështjella’ me një titull tjetër, ‘Daullet e shiut’. Dukej një horizont i ri. Dukej diçka që duhej të zbulohej. Natyrisht depërtimi në Francë ishte çelësi me i mirë i mundshëm”, ka thënë akademik Rexhep Ismajli.

Akademik Rexhep Ismajli, mban mend vitin 1972, kur ka qenë dëshmitar dhe ndërhyrës në kontaktet e Kadaresë me Alain Bosquet dhe intelektualët e tjerë francezë. Thotë se në veprën e Kadaresë e tërë historia shqiptare gëlon.

“Është e trajtuar në mënyra të ndryshme dhe ka përcjellë edhe një mesazh i cili flet shumë për ekzistencën e një populli që nuk ishte i njohur, që kishte vlerat e veta që duhej të transmetoheshin”, ka shtuar ai.

Vlerat transmetoheshin nga një shkrimtar që tashmë kishte nisur të ecë në letërsinë botërore. 
I lindur në Gjirokastër me 28 janar të vitit 1936, Kadare do të rritej në qytetin e gurtë, të cilin e ngriti edhe në roman. Pas studimeve për gjuhë e letërsi shqipe në Tiranë, do të vazhdonte në institutin “Maksim Gorki” në Moskë. Pas disa vëllimeve poetike ai u bë i njohur në prozë. 

“Prilli i thyer”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Viti i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, “Kush e solli Doruntinën”, “Kronikë në gur”, “Kështjella” “Krushqit janë të ngrirë”, “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, “Piramida” janë veç disa prej veprave të tij. “Dimri i vetmisë së madhe”, “Koncert në fund të dimrit” e “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” po ashtu hyjnë te letërsia e tij elitare. 

Për veprimtarinë e tij është shpërblyer me çmimet më të njohura që ndan bota përfshirë “Nobelin” amerikan, siç quhet alternativisht çmimi ndërkombëtar i letërsisë “Neustadt”, “Pak Kyongni 2019”, një nga vlerësimet më të larta letrare në Korenë e Jugut. Po ashtu, presidenti francez, Emanuel Macron, ia kishte ndarë atij titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. “Princi i Asturias për Letërsi” po ashtu, u nda për të. Është përfolur si kandidat edhe për nominim për prestigjiozin “Nobel”.

Niveli i letërsisë së Kadaresë nuk njihte kufij. 

“I pajisur me talent të jashtëzakonshëm, që në moshën jomadhore (që na e kujton pak Rembonë), dhe i kulturuar letrarisht deri në nivelin e diturakut me moshë (që na e kujton pak Gëten), Ismail Kadare shfaq daimonian dhe egon krijuese që nuk njeh kufij kulturash e civilizimesh. Kjo paraqitet në trajtë letrare dhe në formë konceptuale të eseut. Në këto ese, Kadare shfaqet simbas Kadaresë”, është shprehur akademik Sabri Hamiti.

Në vitin 1980 në Kosovë “Rilindja” do të botonte për herë të parë përmbledhtazi veprën e Kadaresë. Pos një investim kulturor ishte edhe nderim për shkrimtarin me të cilin tashmë shqiptarët po mburreshin gjithandej. 

Deri në shpërthimin e Kadaresë në Evropë e më pas në botë Ballkani kishte qenë shumë pak i njohur në letrat perëndimore. 

Akademik Rexhep Ismajli, thotë se dominonin modeli i Ivo Andriqit e Nikos Kazantzakis bashkë me disa poetë grekë, por nga bota shqiptare ka munguar një zë.

“Kadareja ka dalë shumë fuqishëm në këtë pasqyrë dhe është imponuar gjithandej në letërsi sidomos tani vonë në letërsitë anglo-amerikane, spanjolle dhe si të themi ndonjëherë sintoni, ndonjëherë konkurrencë, ndonjëherë konfrontim me letërsitë latino-amerikane. Pra është një letërsi që është në frymën e kohës. Dhe neve na bën nder si kulturë gjithandej nga është e përhapur”, ka thënë Ismajli.
Në vështrimin e tij Kadareja i përket fondit të letërsisë së përbotshme. Si gjuhëtar ka folur edhe për ndikimin që shkrimtari kishte në urbanizimin e gjuhës, të shprehjes. 

“Urbanizimi i shprehjes është i domosdoshëm për prozën moderne, për prozën e kohës. Kadare nuk ka ngurruar që të lëvizë në mënyrë sovrane nëpër përmasat e letërsisë së kohës sonë që nga klasikja deri te modernia në të gjitha aspektet të formave e të tjera. Ka problematizuar shumë çështje, ka lënë për kulturën shqiptare një vepër me rëndësi të dorës së parë”, ka shtuar ai.

Kumti për vdekjen e Ismail Kadaresë në ditën e parë të korrikut, ishte i kumbueshëm jo vetëm në botën shqiptare. Mediat më prestigjioze në botë i kanë dhënë epitet të larta. Me një ditë zie në Kosovë e dy në Shqipëri, midis të tjerash është nderuar veprimtaria e trashëgimia e shkrimtarit. 
Lamtumira e fundit të mërkurën e 3 korrikut, ka bërë bashkë familjarë, miq, qytetarë e pushtetarë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Me siluetën e Shën Terezës në prapavijë – pjesë e një skenografie shfaqjeje e jo e menduar për këtë rast – pranë arkivolit të Kadaresë kanë kaluar qindra njerëz.  Të pranishmit në homazhe kanë rrezatuar krenari. Kjo është parë qartazi. Dhe atë e kanë shpërfaqur në disa dimensione. 

Botuesi i tij, Bujar Hudhri ka qenë njëri prej njerëzve më afërt të shkrimtarit të madh. Ishte aty edhe në momentet kritike. Bisedat me të i kishte të shpeshta. Por Kadare ishte zor i deshifrueshëm sa u përket shkrimeve.     

“Gjatë bisedave që kam pasur nuk ka treguar se a ishte duke shkruar diçka. Thoshte ‘po’ por të nesërmen e përgënjeshtronte atë. Por mendoj se duhet të ketë lënë diçka. U takon bashkëshortes dhe vajzave që ta bëjnë të ditur këtë pasi ato kanë të drejtat”, ka thënë Hudhri.

Arkivoli i mbuluar me flamur kombëtare lule të bardha ka qëndruar tri orë gjysmë midis sallës së Teatrit të Operës dhe Baletit. Kësisoj kishte vendosur nga Qeveria e Shqipërisë që ka themeluar një Komision të Posaçëm që udhëhiqej nga vetë kryeministri Edi Rama. Pak para se të mbahej fjala e vetme, ajo e kryeministrit, në sallë kanë hyrë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, më pas kryeministri Albin Kurti bashkë me një pjesë të kabinetit qeveritar, për t’i lënë radhën një grupi deputetësh, e anëtarësh të partisë që e udhëheq Kurti. 

Në shkallë janë bërë bashkë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ajo e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Shkrimtari Liridon Mulaj thotë se fati i mirë i shkrimtarëve të mëdhenj është që mbesin gjithnjë në biblioteka e librari. 

“Ne patëm fatin që historinë shqiptare ta mësonim nëpërmjet nivelit të lartë estetik të Kadaresë. Kushdo që do ta bëjë një detyrë universitare është e pamundshme të mos kalohet nga vepra e Kadaresë”, ka thënë Mulaj.

Jo larg nga hapësira e homazheve, ndodhet banesa e kahershme e shkrimtarit e kthyer në muze. Shtëpia e tij në vendlindje është po ashtu muze. Ia kishte falur Bashkisë së Gjirokastrës para shumë vjetësh. 

Pas ceremonisë, Garda e Republikës ka bartur arkivolin midis pushtetarëve e qytetarëve. Duke i hedhur trëndafila të bardhë mbi flamurin kuqezi dhe me duartrokitje, kanë përcjellë njeriun pena e të cilit si asnjë tjetër u dha jehonë historive shqiptare. 

Varrezat e Tufinës kanë pritur pak njerëz. Ceremonia u mbajt nga një rreth i ngushtë familjarësh e miqsh. Të bijat Gresa e Besiana Kadare kanë përshëndetur të pranishmit, e njëkohësisht kanë ftuar ata për një drekë të përbashkët.

“Ishte krejt i veçantë si në gjithë gjërat e tjera. I bindej vetëm ligjeve të letërsisë. Kurrë nuk më ka mërzitur për neglizhencat e mia. E plot, e plot të tjera, por nuk kursente sarkazmat për autorët që unë lexoja. Nga ana tjetër entuziazmohej sa i gjeja ndonjë rresht të goditur. Këtë filozofi e kam adoptuar dhe vetë që nga fëmijëria”, është shprehur Gresa Kadare. 

“Nuk do të bëj ndonjë fjalim, e përfytyroj që thoshte një nga frazat e tij të preferuara ‘do na lësh rehat tani, nuk dua’. E përfytyroj është ngjitur, është si në një vorbull drite, e përfytyroj që është ngjitur si hyj në panteonin e gjenive të botës dhe na shikon. Një nga mënyrat për t’i bërë homazh është të lexojmë të gjithë, përsëri, veprat e tij”, ka shtuar Besiana.

Në atë pjesë varrezash janë bërë bashkë Dritëro Agolli, Rexhep Çeliku, Liljana Cingi, Ganimet Vendresha e Ismail Kadare. Secili prej tyre zë vend të veçantë në artin shqiptar. Por Kadare shkoi përtej. Preku botën dhe atë e bëri me rrëfimet e vendit të tij. Me Kosovën po ashtu. 

Lidhja e Ismail Kadaresë me Kosovën, përtej vitit 1980 kur ishte botuar kompleti i veprave, qe e përhershme. Shkrimtari kishte rol aktiv në vitin 1999 kur bota demokratike vendosi që të shpëtonte shqiptarët e Kosovës nga regjimi serb. 

Shkrimtari e studiuesi Ndue Ukaj thotë se roli i Kadaresë ishte përtej asaj që shihej në publik. 

“Është ndër më meritorët për lirinë tonë. E them me ndërgjegje të pastër intelektuale dhe krijuese. E them këtë duke njohur kontributin e tij. Nëse duam të përdorim një shprehje mund të themi se ishte kumbara i intervenimit të NATO-s në Kosovë”, ka thënë Ukaj.

“Ra ky mor e u pamë” është një ditar i Kadaresë për vitin 1999 dhe shpalos pak nga marrëdhënia e tij me delegacionin e Kosovës në Rambuje e po ashtu telegramet e shkëmbyera me personalitete botërorë. 

Aktori ikonik Timo Flloko i lindur në Pejë, thotë se Kadare emancipoi gjuhën e mentalitetin e shqiptarit në kohë të vështira. 

“Njerëzit e këtij kalibri shtegtojnë dhe nuk janë vdekje. Ishte një atdhetar i madh. Ai ka mbrojtur me një fanatizëm të plotë çështjen e shqiptarëve të Kosovës, lirinë e Kosovës, shtetin e Kosovës. Kadareja ishte një frymëzues i jashtëzakonshëm i popullit të tij. Ai emancipoi gjuhën e mentalitetin e shqiptarit në kohë të vështira të diktaturës komuniste. Mbetet një nga shembujt më të përveçëm dhe më gjenialë të shqiptareve kudo në botë. Është frymëzim për vetë shqiptarizmën”, ka deklaruar aktori.

Si mbështetësin më këmbëngulës të Kosovës në më shumë se 50 vjetet e shkuara e ka përshkruar atë kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.  

“Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar dhe ka arritur të depërtojë nëpër kancelari të ftohta diplomatike, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish. Pra për një masë të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë dhe ata që në aktin final të kësaj historie u vunë në radhët e para për luftën e çlirimit të Kosovës. Në këtë pikë Kadare ka bërë më shumë se të gjitha institucionet së bashku të shtetit shqiptar”, ka thënë kryetari i ASHAK-ut.

Synimet e Kosovës sipas Krajës përfshirë edhe arritjet e saj të viteve të vona, nëpërmjet zërit të Kadaresë janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare. 

Ndërgjegjen kombëtarë të shqiptarëve Kadare e ka prekur në mënyra të ndryshme duke emancipuar popullin e tij në raport me historinë e autoktoninë. 

Ai ua la shqiptarëve dhe botës librat e tij. Atë të jetës… Ismail Kadare e mbylli përgjithnjë.