Franca e papërmbajtshme, eliminon Marokun
Sulmi i Francës ka qenë sërish efikas në momentet vendimtare dhe e theu dy herë mbrojtjen e Marokut në pjesën e dytë.
Franca të enjten mbrëma në Boston fitoi 2:0. Ishte ndeshja e parë e çerekfinales së Kupës së Botës, ndërsa ishin francezët që bënë vend në gjysmëfinale.
Tani Franca në gjysmëfinale e pret fituesen e ndeshjes Spanja – Belgjika. Kjo ndeshje luhet të premten nga ora 21:00.
Portieri Yassine Bounou i Marokut pati paraqitje mbresëlënëse në pjesën e parë duke bërë shumë pritje. Madje e ndali edhe tentimin e Kylian Mbappes nga penalltia e minutës së 28-të. Por, Bounou nuk arriti që ta ndal gjuajtjen e fuqishme të Mbappes në minutën e 60-të që shënoi për 1:0. Për të ishte goli i tetë në këtë Kupë të Botës, sa ka edhe Lionel Messi i Argjentinës.
Mbappe e përgatiti edhe golin e dytë të Francës, që u shënua nga Ousmane Dembele. Mbappe pasoi për fituesin e “Topit të Artë”, i cili gjuajti bukur për 2:0, në minutën e 66-të. Mbappe më pas e la fushën i lënduar, në minutën e 77-të.
Maroku tentoi të kthehej në lojë, por e pati të pamundur.
Maroku eliminohet nga Botërori, ndërsa suksesi më i madh mbetet gjysmëfinalja e vitit 2022 në Katar. Edhe në atë Botëror, Maroku u mposht nga Franca 2:0.
Mbappe ankohet në lëndim, del nga loja
Kylian Mbappe është ndalur në mes të fushës dhe u ankua nga një lëndim.
Mbappe ka kërkuar ndihmën e stafit mjekësor në minutën e 76-të.
Ai e ka lënë fushën në vend të Jean-Philippe Matetas.
Mbappe e Dembele barazojnë legjendat Ronaldo-Rivaldo
Me golat e shënuar ndaj Marokut, Franca sivjet u bë skuadra e parë, dy futbollistë të së cilës kanë shënuar pesë e më shumë gola në një Kupë Bote, që prej legjendarëve të Brazilit, Ronaldo-Rivaldo më 2002.
Atë kohë, Ronaldo pati shënuar tetë gola e Rivaldo kishte kontribuuar me pesë.
Të njëjta, shifrat i kanë mbërritur Kylian Mbappe me 8 gola të shënuar dhe Ousmane Dembele me pesë, sipas “Opta”.
Më 2002 Brazili ishte shpallur kampion bote.
Dembele i jashtëzakonshëm, për pesë ndeshje barazoi legjendat franceze
Ousmane Dembele ka realizuar të njëjtën shifër të golave në Kupë të Botës për Francën dhe është barazuar me emra të mëdhenj të futbollit francez.
Dembele tani i ka pesë gola të shënuar, me këtë të fundit ndaj Marokut.
Dembele është barazuar me Michel Platinin, Olivier Giruoudin dhe Zinedine Zidanen, ka shkruar “Squawka” në platformën “X”.
Goli ndaj Marokut – Mbappe në histori
Me golin e parë ndaj Marokut në çerekfinale të Botërorit, Kylian Mbappe ka shkruar sërish historinë.
Ylli i Francës u bë futbollisti i parë që ka arritur të përfshihet në 10 gola për kombëtaren në dy Botërorët e fundit. Ai është i pari që e bën këtë që nga viti 1966. Më 2022 pati realizuar 8 gola e ka pasur edhe 2 asistime. Njëjtë shifrën e ka mbërritur edhe sivjet.
Me Francën që po udhëheq 2:0, gjasat janë që ai ta tejkalojë shifrën.
Po ashtu, Mbappe u bë futbollisti i parë që me kombëtaren franceze ka mbërritur të përfshihet në 100 gola – 64 gola dhe 36 asistime, sipas faqes së statistikave "Opta".
Dembele dyfishon epërsinë
Franca e ka shënuar edhe golin e dytë ndaj Marokut.
Ousmane Dembele realizoi për 2:0 në minutën e 66-të.
Mbapeeeee, Franca në epërsi
Franca ka kaluar në epërsi me golin e bukur të Kylian Mbappes.
Mbappe shënoi në minutën e 60-të, me asistim të Desire Doues.
Për Mbappen është goli i tetë i këtij Botërori.
Bounou testohet sërish
Portieri që paraqitet për Al Hilalin në nivel ekipor e që përfaqëson Marokun, Yassine Bounou, është testuar sërish.
Por, sërish nuk u mposht.
Bounou e priti edhe një gjuajtje shumë të fuqishme të Desire Doues në minutën e 55-të.
Shumë raste e një penallti e humbur, pjesa e parë mbyllet pa gola
Pjesa e parë e çerekfinales shumë interesante të Kupës së Botës mes Francës dhe Marokut, është mbyllur pa gola.
Pati raste të panumërta shënimi nga ana e francezëve, por ishte portieri Bounou i Marokut që e mbajti portën e paprekur.
Ai madje priti edhe penalltinë e Kylian Mbappes në minutën e 28-të.
Lucas Digne në minutën e dytë të shtesës në pjesën e parë, e qëlloi transversalen me gjuajtje të fuqishme nga distanca.
Bouaddi hyn në mesin e pak lojtarëve me të arritur të jashtëzakonshme
Mesfushori i jashtëzakonshëm i Marokut, Ayyoub Bouaddi, ka hyrë në mesin e pak lojtarëve me të arritur të jashtëzakonshme.
Me paraqitjen ndaj Francës në të Kupës së Botës, marokeni është bërë lojtari i dytë më i ri që luan në një çerekfinale.
Ai i ka 18 vjet e 280 ditë dhe zë vendin e dytë në këtë statistikë pas brazilianit Pele, që ka luajtur me 17 vjet e 239 ditë.
I treti është Aaron Lennon i Anglisë me 19 vjet e 76 ditë.
Bounou i pakalueshëm
Portieri i Marokut, Yassine Bounou, është i pakalueshëm.
Tjetër pritje të jashtëzakonshme, portieri maroken ia bëri Desire Doues.
Doue përfitoi nga një gabim i mesfushorit Ayyoub Bouaddi. Doue depërtoi deri në zonë e gjuajti në minutën e 35-të, por Bounou shkëlqeu sërish.
Rezultati pas 37 minutave lojë është 0:0.
10 tentime për gol i ka Franca, tri prej tyre në portë.
Maroku ende nuk e ka asnjë tentim për të realizuar gol.
Tjetër rast për Francën, ende pa gola
Pasi e humbi penalltinë Kylian Mbappe, Franca ka vazhduar me lojë të shpejtë, por ende pa efikasitet.
Ousmane Dembele provoi në minutën e 32-të. Gjuajtja e tij përfundoi jashtë.
Mbappe humb penalltinë
Kylian Mbappe ka humbur penalltinë ndaj Marokut.
Ylli francez gjuajti në kënd, por me sukses topi u prit nga Bono.
Ndodhi kjo në minutën e 28-të.
Rezultati mbetet 0:0.
Franca vazhdon tentimet, Maroku mbrohet mirë
Franca ka vazhduar me lojë ofensive në 20 minutat e para të ndeshjes.
Por, ende nuk e ka gjetur rrugën e golit.
Maroku është duke u mbrojtur mirë.
Në minutën e 18-të, tentim me kokë pati edhe Ousmane Dembele, por gjuajtja e tij shkoi jashtë.
Franca tregon forcën në pesë minutat e para
Franca ka shfaqur formë të lartë që në pesë minutat e para të ndeshjes.
Kylian Mbappe gjuajti fuqishëm nga distanca, ndërsa nga goditja e këndit, rrezikshëm u shfaq mbrojtësi Dayot Upamecano.
Të dyja tentimet i priti portieri i Marokut, Yassine Bounou.
A mundet Maroku t’i revanshohet Francës për disfatën në “Katari 2022”?
Katër vjet më parë në Katar, Maroku e befasoi Spanjën dhe Portugalinë për t’u bërë shteti i parë afrikan dhe arab që arrin në gjysmëfinale të Kupës së Botës.
Me ato paraqitje, e fitoi edhe reputacionin si përfaqësuese shumë e fortë.
Franca fitoi ndaj Marokut në gjysmëfinale dhe ua ndali në gjysmë ëndrrën e atij Botërori të vitit 2022.
Që nga ajo kohë, Maroku ka shënuar ngritje vazhdimisht edhe në skenën globale.
Maroku, fitues i Kupës së Kombeve të Afrikës për vitit 2025, ka 34 ndeshje pa disfatë.
Tani synon befasi të madhe dhe është në kërkim të titullit të parë të botës.
Maroku ka pasur paraqitje tejet të mirë në fazën e mbrojtjes, duke e mbajtur portën e paprekur ndaj Skocisë dhe Kanadasë.
Ndaj Brazilit dhe Holandës e pranoi vetëm një gol.
Por, sonte nga ora 22:00, përballë ka francezët që kanë sulm të jashtëzakonshëm, të udhëhequr nga Kylian Mbappe.

Publikohen formacionet e ndeshjes Franca – Maroku, ka mungesa
Janë publikuar formacionet zyrtare të ndeshjes së parë çerekfinale të Kupës së Botës, Franca – Maroku, që nis në orën 22:00 dhe luhet në “Boston Stadium”.
Ka edhe mungesa.
Për shkak të lëndimit, Francës i mungon mesfushori Aurelien Tchouameni, derisa Ismael Saibari mungon te Maroku.
Të dy kanë telashe muskulore.
Formacioni i Francës:
Maignan, Digne, Upamecano, Kounde, Saliba, Kone, Rabiot, Dembele, Mbappe, Olise, Doue
Formacioni i Marokut:
Bounou, Hakimi, Mazraoui, Diop, Salah Eddine, Bouaddi, Talbi, Ounahi, El Khannouss, El Aynaoui, Diaz
FIFA me ndryshime të procedurës së VAR-it që nga ndeshja Franca – Maroku
FIFA do të zbatojë protokoll të ri të VAR-it për ndeshjen Franca – Maroku, që nis në orën 22:00.
Me procedurën e re, asistenti i VAR-it dhe zëvendësi i tij, do të vendosen në stadiumin në Boston, ku do të zhvillohet ndeshja.
Rolin e AVAR-it do ta ketë uruguaiani Leodan Gonzalez, ndërsa zëvendëse e tij do të jetë Tatiana Guzman, nga Nikaragua.
Qëllimi është për funksionim më të qetë të teknologjisë së VAR-it nëse ka probleme teknike ose humbje të lidhjes me dhomën operative, që është e vendosur në Dallas.