Mbrojtësi belg Thomas Vermaelen ka thënë se Belgjika do të jetë e dëshpëruar thellësisht nëse dështon të fitojë Kupën e Botës.
Derisa lojtarët e tjerë belgë vazhdimisht kanë folur se duhet të merren gjërat hap pas hapi, Vermaelen, 32-vjeçar, ka bërë të qartë se është i përqendruar në arritjen në finalen e së dielës së ardhshme në Luzhniki në Moskë dhe në fitim të asaj finaleje, transmeton “Koha Ditore”.
“Ne duam me çdo kusht të arrijmë në finale dhe të fitojmë atë, pasi nëse nuk e bëjmë këtë do të jetë një dëshpërim i madh. Ambicia jonë është të shkojmë dhe të fitojmë. Sigurisht se besoj se mund t'ia dalim. Ne kemi treguar se mund të luajmë futboll atraktiv, jemi kthyer në momente të vështira që hasëm ndaj Japonisë. Do të jetë absurde të mos besojmë”, ka thënë Vermaelen në konferencë për media. Belgjika do të përballet me Francën në gjysmëfinale të Botërorit të martën.