Ishte mesi i vitit 2006 kur skautët e ekipit nga Holanda, Groningen kishin udhëtuar në Uruguai për të parë nga afër një sulmues premtues me emrin Elias Figueroa.
Në vend të tij, ata kishin qenë dëshmitarë të shkëlqimit të një tinejxheri tjetër që ishte sulmues dhe shënoi gol fantastik. Groningeni firmosi me të dhe e transferoi në Evropë. Emri i tij? Luis Suarez.
Kjo është pak e shumë historia e panjohur e Suarezit, i cili derisa zhvillohej si futbollist në Uruguai, ëndërronte për një transferim në Evropë, saktësisht në Spanjë ku ishte shpërngulur e dashura e tij. Golat e shumtë dhe loja e mirë e dërguan Suarezin shumë shpejt tek Ajaxi, pastaj te Liverpooli dhe në fund të Barcelona.
Gjatë kësaj rruge, Suarez u bë edhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Përfaqësuesja e Uruguait. Stili i tij eksploziv dhe karakteri fitimtar e kanë shndërruar Suarezin në njërin prej sulmuesve më të mirë në botë, ndonëse edhe ai ka të metat e veta, siç janë kafshimet e famshme, simulimet dhe fyerjet raciste ndaj kundërshtarëve.
Mirëpo, Suarez të gjitha këto i ka lënë pas vetes dhe në këtë botëror është futur si një lojtar shumë më i mençur dhe më i pjekur. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).