Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2018

Southgate kritikon Anglinë, përkundër fitores prej 6 me 1

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate çuditërisht tha se “nuk e pëlqeu” paraqitjen e skuadrës së tij në fitoren 6-1 ndaj Panamasë,

Kjo fitore i kualifikon ata matematikisht për në 1/8 e finaleve të Kupës së Botës.

Harry Kane shënoi tri gola, John Stones dy të tjerë dhe një gol erdhi nga Jese Lingard në atë që ishte fitorja më e thellë e “luanëve” në historinë e Kupës së Botës, gjithsesi trajneri i tyre mendon se mund të luajnë më mirë.

“Nuk më pëlqeu mënyra si e nisëm ndeshjen dhe golin që pësuam ndaj Panamasë, kjo do të thotë se mund të bëjmë edhe më mirë. Patjetër që ekipi bëri shumë gjëra si duhen dhe pas një fitoreje 6-1 kritikat duken si çmenduri, por faktikisht nuk jam plotësisht i kënaqur”, tha Southgate.

Për herë të tretë në histori, Anglia e ka nisur Botërorin me dy fitore, transmeton kp.

“Eshtë e çuditshme sepse kemi marrë maksimumin e mundshëm pa luajtur në maksimumin e mundësive. Ndaj Panamasë ishim shumë mirë në aspektin realizimit dhe njerëzit do të qeshin nëse unë kritikoj sot ekipin tim, por edhe vetë futbollistët e dinë se kanë bërë gabime dhe se Kupa e Botës fillon tani", përfundoi ai.

Artikuj të ngjashëm