Dy gjigantët e futbollit, që nuk ishin as afër për të gjetur formën e tyre më të mirë në ndeshjet e fazës së grupeve, takohen sot (e shtunë, 16:00) në Kazan, të vetëdijshëm se duhet të kenë ngritje serioze në lojën e tyre për të pasur gjasa për të fituar botërorin e futbollit, që po vlerësohet më i hapuri i viteve të fundit.
Nervat e Argjentinës u sprovuan seriozisht derisa ajo ia doli me shumë vështirësi të avancojë prej grupit, falë një goli të mbrojtësit Marcos Rojo në minutën e 86-të në ndeshjen ndaj Nigerisë, transmeton Koha Ditore.
"Ishte ndeshje që patjetër duhej fituar", ka thënë Gonzalo Higuain. Lionel Messi ka folur për vuajtjet që nuk i ka përjetuar asnjëherë më parë.
Franca në ndeshjen hapëse ndaj Australisë ka aktivizuar ekipin më të ri në botëror që nga viti 1930. Por me gjithë energjinë me bollëk të lojtarëve të rinj, Franca ka pasur telashe për të gjetur ritmin e synuar.
Në krahasim me Argjentinën, Franca kishte rrugë më të lehtë deri në një të tetën e finales, por përzgjedhësi Didier Deschamps ende nuk po mund të nxjerrë maksimumin prej ekipit me plot talente në sulm.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).