Dhe në lëvizjen që synon t’i japë fund konfliktit të përsëritur midis vendeve të pasura dhe të varfra gjatë bisedimeve ndërkombëtare për klimën, G-7 njohu për herë të parë nevojën për t’u ofruar vendeve në zhvillim ndihmë financiare shtesë për t’i përballuar humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga ngrohja globale
Zyrtarët nga grupi i shtatë vendeve të pasura kanë njoftuar se do të synojnë t’i japin fund kryesisht emetimeve të gazeve serrë nga sektorët e tyre të energjisë deri në vitin 2035, duke e bërë të pamundur që ato vende të djegin thëngjill për energji elektrike përtej kësaj date.
Ministrat nga takimi i vendeve të G-7 në Berlin kanë njoftuar gjithashtu objektivin për të pasur një “sektor rrugor shumë të dekarbonizuar deri në vitin 2030”, që do të thotë se automjetet elektrike do të mbizotërojnë në shitjet e makinave të reja deri në fund të dekadës.
Goditje e fundit
Dhe në lëvizjen që synon t’i japë fund konfliktit të përsëritur midis vendeve të pasura dhe të varfra gjatë bisedimeve ndërkombëtare për klimën, G-7 njohu për herë të parë nevojën për t’u ofruar vendeve në zhvillim ndihmë financiare shtesë për t’i përballuar humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga ngrohja globale.
Marrëveshjet, të cilat do t’u vihen udhëheqësve muajin e ardhshëm në samitin e G-7 në Elmau, Gjermani, u mirëpritën kryesisht nga aktivistët e klimës.
“Objektivi i vitit 2035 për derkarbonizimin e sektorit të energjisë është përparim i madh. Në praktikë kjo nënkupton se vendet do ta heqin gradualisht thëngjillin deri në vitin 2030 më së voni”, ka bërë të ditur Luca Bergamaschi, drejtor i grupit të fushatës ECCO me qendër në Romë.
Thëngjilli është lëndë djegëse fosile tepër ndotëse që është përgjegjëse për një të pestën e emetimeve globale të gazeve serrë të shkaktuara nga njerëzit. Derisa ka mënyra për t’i reduktuar emetimet e dyoksidit të karbonit nga djegia e thëngjillit, ekspertët kanë thënë se është pothuajse e pamundur ta reduktosh atë në zero, që do të thotë se ka të ngjarë të jetë karburanti i parë fosil që do të hiqet gradualisht.
Anëtarët e G-7, Britania, Franca dhe Italia, i kanë vendosur tashmë vetes afate për ta ndaluar djegien e qymyrit për energji elektrike në vitet e ardhshme. Gjermania dhe Kanadaja synojnë vitin 2030; Japonisë i duhet më shumë kohë; teksa administrata Biden ka vendosur objektiv për t’i dhënë fund përdorimit të karburanteve fosile për prodhimin e energjisë elektrike në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2035.
Qëllimi i përbashkët
Një objektiv i përbashkët që do të ushtronte presion mbi ndotësit e tjerë të mëdhenj për ta ndjekur shembullin dhe për të ndërtuar mbi marrëveshjen e kompromisit të arritur në samitin e klimës së vitit të kaluar të OKB-së, ku vendet u angazhuan thjesht për “ta përmbysur gradualisht” dhe jo “ta heqin gradualisht” thëngjillin – pa një datë të caktuar.
I dërguari i SHBA-së për klimën, John Kerry, i ka quajtur marrëveshjet e arritura në Berlin si “shumë gjithëpërfshirëse dhe me prirje përpara”.
“Mendoj se kjo do të ndihmojë në vendosjen e bazës për atë që duhet të ndodhë në G-20”, ka thënë ai për Associated Press, duke iu referuar një takimi më vonë këtë vit të grupit më të gjerë të 20 ekonomive kryesore në zhvillim, të cilët janë përgjegjës për 80% të emetimeve globale.
Marrja përsipër nga të gjitha vende e të G-20 për të nënshkruar objektivat ambicioze të vendosura nga disa prej ekonomive më të përparuara do të jetë e vështirë, pasi vende të tilla si Kina, India dhe Indonezia mbetën shumë të varura nga thëngjilli.
Nën presionin për ta rritur ndihmën e tyre financiare për kombet e varfra, ministrat e G-7 në Berlin kanë njoftuar se ata e pranuan se “veprimi dhe mbështetja për vendet, popullatat dhe grupet e cenueshme duhet të rritet më tej”.
Kthesa e madhe
Kjo përfshin qeveritë dhe kompanitë që “sigurojnë mbështetje të zgjeruar në lidhje me parandalimin, minimizimin dhe adresimin e humbjeve dhe dëmeve që lidhen me ndikimet negative të ndryshme klimatike”, kanë bërë të ditur ata.
Vendet në zhvillim kanë kërkuar prej vitesh angazhim të qartë që do të marrin fonde për ta përballuar shkatërrimin e shkaktuar nga ndryshimet klimatike. Vendet e pasura i kanë rezistuar kësaj ideje, megjithatë, nga frika se mos mbahen përgjegjës për fatkeqësitë e kushtueshme që lidhen me emetimet e tyre.
“Pas vitesh bllokime rrugësh, G-7 më në fund e pranojnë se duhet t’i mbështesin financiarisht vendet e varfra në trajtimin e humbjeve dhe dëmeve të lidhura me klimën”, ka thënë David Ryfisch i grupit të fushatës mjedisore në bazë në Berlin, Germanwatch.
“Ama kjo njohje nuk është e mjaftueshme, ata duhet t’i vendosin paratë në tryezë”, ka shtuar ai. Tani i takon kancelarit gjerman, Olaf Scholz, të mobilizojë angazhime të rëndësishme financiare nga liderët në samitin e Elmaut.
Ministri i Energjisë dhe Klimës i Gjermanisë, Robert Habeck, ka thënë se komunikata prej 40 faqesh nuk mund ta fshehë faktin se vendet e G-7 kishin mbetur prej kohësh në ngecje në luftën kundër ngrohjes globale.
“Po përpiqemi t’i kompensojmë ato gjëra që nuk shkuan aq mirë në të kaluarën”, ka thënë ai. “Përfshirë edhe financimin e klimës”.
Duke folur në një ish-depo qymyrguri, e shndërruar më vonë në një strukturë magazinimi gazi dhe tani shtëpi për startupet e energjisë së pastër, Habeck theksoi gjithashtu zotimin e vendeve të G-7 për t’i dhënë fund asaj që ai e quajti “absurditetin” e subvencioneve të karburanteve fosile në vitet e ardhshme.
“Koha po mbaron”
Ndaras, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë nënshkruar një marrëveshje të premten për ta thelluar bashkëpunimin e tyre dypalësh mbi kalimin nga karburantet fosile në energjinë e rinovueshme. Marrëveshja do t’i shohë të dy vendet të punojnë së bashku për të zhvilluar dhe vendosur teknologji që do ta përshpejtojnë atë tranzicion të energjisë së pastër, veçanërisht në fushën e energjisë së erës në det të hapur, automjeteve me emetim zero dhe hidrogjenit.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania u zotuan të bashkëpunojnë gjithashtu në promovimin e politikave ambicioze të klimës dhe sigurisë së energjisë në mbarë botën.
Kerry ka njoftuar se të dyja vendet synojnë t’i korrin përfitimet e kalimit në energjinë e pastër herët, nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës dhe mundësive për bizneset në tregun në rritje për burimet e rinovueshme.
Tregje të tilla varen nga standardet e përbashkëta se çfarë hidrogjeni mund të klasifikohet si “i gjelbër”, për shembull. Zyrtarët tani do të punojnë për të arritur përkufizim të përbashkët për t’u siguruar që hidrogjeni i prodhuar në njërën anë të Atlantikut të mund të shitet në anën tjetër.
Habeck ka thënë se marrëveshja pasqyronte urgjencën e trajtimit të ngrohjes globale. Shkencëtarët kanë bërë të ditur se shkurtime të mëdha të emetimeve duhet të ndodhin në mbarë botën këtë dekadë nëse synimet e vendosura në marrëveshjen e klimës së Parisit të vitit 2015 duhet të përmbushen.
“Koha po mbaron”, ka theksuar Habeck, duke e quajtur ndryshimin e klimës “sfidë të brezit tonë politik”.
Përktheu: Blerta Haxhiu