Bisedimet e Kombeve të Bashkuara për klimën në Brazil kanë përfunduar të shtunën me një marrëveshje të heshtur për të dhënë më shumë para për shtetet më të goditura nga ndryshimet klimatike, me qëllim që t’u ndihmojnë përshtatjen me motin ekstrem.
Shtetet u pajtuan të mbledhin para nga më të pasurit për t’u ndihmuar atyre shteteve më të varfra. Por qëllimi prej 120 miliardë dollarësh në vit u shty si cak për vitin 2035.
Megjithatë, marrëveshja nuk përfshin hartë të detajuar dhe të qartë për të hequr gradualisht lëndët djegëse fosile ose për t’i forcuar planet për uljen e emetimeve.
Organizatorët brazilianë të konferencës kanë thënë se do të hartonin një plan për largimin e karburanteve fosile, por kjo nuk do ta ketë fuqinë e njëjtë si diçka që merr miratimin në konferencën e Kombeve të Bashkuara, që njihet si COP30.
Marrëveshja u miratua të shtunën pasi negociatorët tejkaluan afatin e caktuar për ta përfunduar një ditë më herët. Ajo u arrit pas më shumë se 12 orësh takimesh natën vonë dhe mëngjesin e së shtunës në zyrën e presidentit të COP30, Andre Correa do Lago.
Do Lago ka thënë se diskutimet do të vazhdojnë, teksa ka shtuar se në konferencën e ardhshme vjetore do të jetë gati një propozim i veçantë si plan tranzicioni për karburantet fosile.
Marrëveshja e arritur të shtunën hasi edhe në kritika.
“Është rezultat i dobët”, ka thënë negociatori filipinas, Jasper Inventor. Edhe negociatori i Panamasë, Juan Carlos Monterrey Gomez e cilësoi të dobët këtë marrëveshje. “Një vendim për klimën i cili as s’mund të thotë ‘lëndë fosile djegëse’ nuk është neutralitet, është të jesh bashkëfajtor. Dhe ajo që po ndodh këtu i tejkalon paaftësitë”, ka thënë Gomez.