Këta të rinj e dinë se çfarë përmban pluhuri: depozitime dhe substanca të hequra nga makinat e vjetra që më pas janë konvertuar në një ilaç. “Nuk jemi të shqetësuar për këtë”, thonë ata. Tek e fundit, thonë se nuk kanë asgjë për të humbur. “'Bombé' na ndihmon të harrojmë gjithçka. Përderisa njerëzit në perëndim kanë llogari bankare, unë nuk kam asgjë, prandaj, me 'bombé' gjithçka është më e lehtë”, thotë njëri prej tyre.
Kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos po pushtohet nga një drogë e re e rrezikshme e quajtur “Bombé”, e prodhuar nga depozitat e konvertuesit katalitikë të automobilave. Në një vend që përballet me shumë probleme, kjo drogë i ndihmon njerëzit të harrojnë telashet.
Papritur u shfaqën video përmes WhatsAppit dhe rrjeteve sociale. Dhe ajo që ata përshkruanin shpejt mori një emër: Zombiet e Kinshasës. Imazhet tregonin njerëz plotësisht të palëvizshëm ose duke lëvizur ngadalë dhe u kuptua menjëherë se çfarë ishte: një drogë e re me emrin “bombé”.
“Është si një lloj epidemie”, thotë një zyrtar kryesor hetimor për Der Spiegel. Për më tepër, kriza ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e qeverisë së Republikës Demokratike të Kongos. Presidenti Felix Thisekedi mbajti një takim të veçantë të kabinetit për të diskutuar këtë drogë në fillim të këtij viti. Ai është i vendosur të tregojë se po bën gjithçka që mundet.
Mirëpo përhapja e shpejtë e drogës 'bombé' është edhe si pasojë e një vendi të sëmurë i cili është bërë krejtësisht jomikpritës për shumë banorë. Statistikat tregojnë se Kinshasa është një nga qytetet më pak të banueshme në botë.
Në një nga lagjet më të famëkeqe të qytetit, Selembao, katër të rinj janë ulur në një oborr të fshehur. Përpara tyre kanë një xham me pluhur ngjyrë kafeje mbi të. Pranë pluhurit, ata thërrmojnë tabletat e bardha në pluhur dhe më pas përziejnë të dy substancat. “Tabletat duhet të përzihen dhe kështu ato nxisin oreksin,”, thonë dy të rinjtë.
Më pas, të rinjtë e formojnë pluhurin në tri vija të shkurtra dhe të holla me një brisk rroje, të ngjashme me mënyrën se si përgatitet kokaina. Pjesa më e madhe e saj ngrehet me hundë ndërsa pjesa tjetër bëhet si cigare dhe thithet. Pas marrjes së saj, të rinjtë fillimisht bëhen euforikë, por më pas fillojnë të lëvizin gjithnjë e më ngadalë.
Këta të rinj e dinë se çfarë përmban pluhuri: depozitime dhe substanca të hequra nga makinat e vjetra që më pas janë konvertuar në një ilaç. “Nuk jemi të shqetësuar për këtë”, thonë ata. Tek e fundit, thonë se nuk kanë asgjë për të humbur. “'Bombé' na ndihmon të harrojmë gjithçka. Përderisa njerëzit në perëndim kanë llogari bankare, unë nuk kam asgjë, prandaj, me 'bombé' gjithçka është më e lehtë”, thotë njëri prej tyre. Kjo kushton vetëm një dollarë.
Jetë luksi
Me këtë shumë parash, nuk mund të kryeni punë në Kinshasa. Një vakt në një restorant të nivelit të mesëm mund të kushtojë 30 dollarë amerikanë, ndërsa qiratë në lagjet më të mira i afrohen atyre në Mynih dhe Frankfurt. Kinshasa është ndër qytetet më të shtrenjta në botë, të paktën për punëtorët e huaj. Megjithatë, ka shumë banorë super të pasur të cilët shëtisin rrugëve me veturat e tyre gjigante.
Në të njëjtën kohë, ekonomia është në rrënim dhe mezi vërehet klasa e mesme. Një pjesë e madhe, rreth 15 milionë banorë, nuk kanë punë fikse dhe nuk kanë të ardhura të rregullta dhe kjo gjë ka shënuar rritje gjatë gjithë pandemisë së koronavirusit.
Në kushte të tilla, nuk është çudi që kjo drogë po bëhet një fenomen masiv. Kulunasit apo 'huliganët' janë një grup i shoqërisë e cila përfshin të rinj që e mbajnë veten përmes krimeve të vogla dhe aktivitetit të bandave. Dhe kështu, atyre u pëlqen droga ngjyrë hiri e cila u ndihmon të harrojnë.
Për Kulunasit, momenti i ndikimit të drogës është një moment i lumturisë absolute. "Në ato çaste, unë jam i paarritshëm. Është gjumi më i thellë që mund të imagjinoni," thotë një përdorues. Të tjerët e shohin si gjendje euforie dhe pushimi, momente gjatë të cilave nuk kanë nevojë të mendojnë për asgjë.
'Bombé' nuk shkakton halucinacione apo udhëtime shumëngjyrëshe si drogat e tjera. Është thjesht një zbrazëti, thonë konsumuesit.
Aq mjafton për ta, këtu në Kinshasa. Video të shumta të kësaj gjendjeje janë shpërndarë në Facebook dhe Twitter. Disa kulunas thonë se e përdorin drogën përpara përleshjeve me banda. Të jesh indiferent në rrugë është e dobishme.

Sëmundjet e shumta
“Kjo drogë është shumë e rrezikshme”, thotë udhëheqësi i programit kongolez të varësisë, Patrice Kapia. “Shkakton probleme të zemrës dhe mushkërive, pastaj edhe kancer”. Ka pasur edhe raportime të vdekjeve pas konsumimit të kësaj droge. Kapia thotë se përbërësit nga konvertuesi katalitik mund të jenë helmues."
Pjesët e makinës përmbajnë oksid zinku, platin dhe rodium. Një laborator në Antwerp të Belgjikës po teston efektet e secilit përbërës. Por, ekspertët ende po përballen me shumë të panjohura. Ata besojnë se është e mundur që substancat nga konvertuesit katalitik shkaktojnë një reaksion kimik kur përzihen me pjesën tjetër të drogës.
Një kolonel i Policisë Nacionale që preferon të mbetet anonim, tregon një analizë fillestare kimike nga një laborator në Kinshasa, ku kanë zbuluar se ‘Bombé’ përfshin një përzierje të substancave si tramadol, dolarene, nitril, ampicilin dhe në disa raste gjurmë të heroinës.
“Hap pas hapi hetimet kanë zbuluar më shumë”, thotë ai. "Konsumuesit na drejtuan te shitësit dhe prodhuesit, nga ku mësuam se po shtohej pluhur nga sistemet e shkarkimit," thotë hetuesi kryesor. Më herët këtë vjeshtë policia bëri të ditur rezultatet e hetimit të tyre: Rreth 100 të arrestuar, duke përfshirë drejtuesit e supozuar-qytetarë tunizian- pas tregtisë së konvertuesve katalitikë. Hetuesit gjetën fuçi plastike, të cilat ishin gërvishtur nga pjesa e brendshme e pjesëve të vjetra të makinave.
Të akuzuarit pretenduan se kishin dashur të eksportonin substancën për riciklim në Gjermani. Por, në Kongo, shitësit marrin deri në 200 dollarë për një kilogram të substancës, pasi të jetë bërë pluhur. Tregtia e pjesëve të makinave po rritet edhe në shtete tjera, veçanërisht për shkak të metaleve të çmuara si platini dhe rodiumi. Hetuesit u befasuan kur kuptuan se substanca po përdorej për të prodhuar drogë.
Plaçkitja e pjesëve
Një mekanik në Kinshasa tregon se si hajdutët e bëjnë këtë. Ai mban një konvertues katalitik që iu desh të hiqte nga një makinë. Në vend të huallit të zakonshëm është i mbushur me tela metalikë, me qepje të dukshme në pjesën e poshtme. “Mekanikët janë shpesh të përfshirë në tregti” thotë ai.
“Ata heqin katalizatorin kur makinat janë të parkuara në garazhet për riparime ose para hoteleve. Pastaj heqin përmbajtësit dhe mbushin katalizatorin me tela metalikë, që të mos dëgjohet ndryshimi menjëherë." Mekaniku thotë se disa makina të kësaj gjendjeje i janë dorëzuar atij - ku përveç pasojave të rënda shëndetësore për konsumuesit, droga gjithashtu shkakton dëme për mjedisin si rezultat i dëmtimit të konvertuesve katalitikë.
Samy Moyo nga Këshilli Kombëtar Rinor nuk dëshiron të vazhdojë të qëndrojë duarkryq. Ai po drejton një projekt që u ofron mundësi të varurve nga ‘Bombé’. Dhjetëra ish-pjesëtarë të grupit Kulunas grumbullohen në një klasë, ndërsa të tjerët që nuk gjejnë vend përpiqen të dëgjojnë nga dritarja. Një mësues i tregon grupit se si të kultivojnë ara dhe të mbjellin fara. “Ne po i trajnojmë të rinjtë në ekonominë bujqësore dhe në fund secili merr një copë tokë nga qeveria”, thotë Mayo. Nuk ka mungesë të tokës në shtetin e zgjeruar të Kongos.
Ideja tingëllon tërheqëse: Largoni nga qyteti të varurit nga ‘Bombé’ dhe lejojini të mbajnë 75 për qind nga fitimet e të korrurave të tyre, dhe 25 përqindëshin e mbetur t'ia kthejnë shtetit- një mundësi e favorshme për të dyja palët. Edhe gjatë fazës së trajnimit, pjesëmarrësit e programit marrin një lloj kompensimi. "Unë nuk marr më ‘Bombé’, sepse tani kam perspektivë." thotë 23-vjeçari Plamedi Lama.
Por asnjëri prej tyre nuk e kanë parë ende tokën që u është premtuar. "Nëse nuk funksionon, do t'i kthehemi ‘Bombé’-s. Çfarë duhet të bëjmë tjetër?" thotë Lama, një mendim me të cilin pajtohen miqtë e tij. Ai ka një grua dhe një fëmijë në shtëpi. Shumica e kulunasve kanë kryer krime të rënda- vjedhje, vrasje, përdhunime. Ata janë të habitur që u është dhënë një mundësi e dytë.
Përktheu: Kaltrina Selimi