Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zjarri më i madh në Kaliforni për vitin 2022 jashtë kontrollit, raportohet për 2 të vdekur

Zjarr Kaliforni

Ekuipazhet që po luftonin me zjarrin më të madh deri më tani këtë vit në Kaliforni, u përgatitën për stuhi dhe kushte të nxehta me erë që kanë krijuar potencialin për rritje shtesë të zjarrit të dielën, teksa kërkuan t’i mbronin vendet më të largëta, raporton AP.

Zjarri në McKinney kishte dalë jashtë kontrollit në Pyllin kombëtar Klamath të Kalifornisë Veriore. Zjarri ka shpërthyer në më shumë se 80 milje katrorë, vetëm dy ditë pasi ishte përfshirë nga flakët edhe një zonë tjetër kryesisht e pabanuar në qarkun Siskiyou. Shkaku ende po hetohet. Zjarri dogji shumë lisa përgjatë autostradës 96 të Kalifornisë, e i bëri shkrumb e hi edhe mbetjet e një kamioni, i vendosur në një korsi të autostradës.

Një zjarr i dytë, më i vogël në perëndim, që u ndez nga rrufeja të shtunën e ka kërcënuar qytetin e vogël Seiad, kanë bërë të ditur autoritetet. Rreth 400 objekte ishin nën kërcënim nga dy zjarret në Kaliforni. Autoritetet nuk e kanë konfirmuar ende shkallën e dëmit, duke njoftuar se vlerësimet do të bëhen kur të ishte e sigurt për të shkuar në atë zonë. Një zjarr i tretë, i cili ishte në skajin jugperëndimor të zjarrit në McKinney, nxiti urdhra evakuimi për rreth 500 shtëpi të dielën, kanë njoftuar autoritetet policore. Ata kanë thënë se ekuipazhet kishin qenë në vendin e zjarrit që nga e shtuna vonë, por në mëngjesin e së dielës “ zjarri u bë aktiv dhe i shpëtoi linjës së tij të kontrollit”.

Trupat e dy personave raportohet se janë gjetur brenda veturës në një rrugë në zonat e zjarrit.