Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zjarr i madh pranë Parisit, dërgohen avionë për ta shuar

Zjarr

Dy aeroplanë zjarrfikës janë dërguar me urgjencë në rajonin e Parisit për të shuar një zjarr të madh në jug të kryeqytetit francez.

Zjarri në pyllin Fontainebleau, i përshkruar nga zyrtarët si "i fortë" dhe me "shkallë të jashtëzakonshme", mbylli pjesërisht autostradën kryesore veri-jug të vendit, duke ndërprerë trafikun gjatë pushimit të parë të madh të fundjavës së verës.

Herët të hënën, zyrtarët kanë thënë se zjarri ishte përhapur në 800 hektarë dhe ende po përhapej në pyll, rreth 60 km në juglindje të qytetit të Parisit.

Rajoni i Parisit po vuan nga vala e tretë e të nxehtit këtë vit, gjatë një vere në të cilën janë thyer rekorde temperaturash në disa vende në të gjithë Evropën.

Ishte hera e parë që aeroplanët zjarrfikës ishin dërguar nga jugu normalisht më i thatë dhe më i nxehtë i vendit për të shuar zjarret në rajonin e Parisit, ka bërë të ditur Eric Brocardi, i federatës kombëtare të zjarrfikësve të Francës.

Edhe Franca përballet me zjarre si pasojë e temperaturave të larta Botë 1 d. më parë Franca përballet me zjarre si pasojë e temperaturave të larta

Dy helikopterë zjarrfikës dhe një avion vëzhgimi janë dërguar gjithashtu, ka shtuar ai, sipas Agence-France-Presse.

"Qëllimi është të shpëtojmë jetë dhe pronë”, është cituar të ketë thënë ai.
Më parë, një zjarr kishte bllokuar gjithashtu një autostradë që shkonte në lindje nga Parisi dhe kishte ndërprerë një linjë treni me shpejtësi të lartë në jug të Francës.

Vala e fundit e nxehtësisë në Francë ka detyruar mbylljen e përkohshme të tri centraleve bërthamore.

Organizatorët e garës çikliste Tour de France gjithashtu shkurtuan fazën e së dielës me 30 km ndërsa temperaturat iu afruan 40 gradë celsius.

Edhe Zjarri i madh detyron evakuimin e mijëra banorëve në jugperëndim të Francës Botë 1 j. më parë Zjarri i madh detyron evakuimin e mijëra banorëve në jugperëndim të Francës

Temperaturat rekord në të gjithë Evropën këtë verë kanë çuar në zjarre të mëdha, veçanërisht në Spanjë ku të paktën 13 persona kanë vdekur nga zjarri i së enjtes në Almeria, një nga më vdekjeprurësit e vendit ndonjëherë.

Dhe në Mbretërinë e Bashkuar, një zjarr i madh në veri të Uellsit u shpall një incident i madh nga shërbimet e emergjencës të dielën, ndërsa zjarrfikësit u përballën me zjarret në të gjithë Anglinë dhe Uellsin.