Botë

Zhvarrosja e eshtrave në kërkim të drejtësisë në Filipine

Erlinda shpreson që eshtrat e të birit të flasin; se ata do të japin drejtësi për familjet si ajo - mijëra prej tyre - që kanë humbur të dashurit e tyre në një “luftë të pamëshirshme kundër drogës” në Filipine

Në varrezat në veri të Manilës, ati Flavie Villanueva – me Biblën në njërën dorë dhe shishen e plastikës me ujë të shenjtë në xhepin e tij - lutet me një nënë pranë varrit të të birit të saj. Ata shikojnë ndërsa pjesa e përparme e qemerit deri te varri është goditur me çekiç. Brenda janë eshtrat e Felizardo Virgos, i vrarë më 18 gusht 2019, në moshën 27-vjeçare.

Kufoma e tij hiqet me kujdes dhe vendoset brenda një qeseje të zezë. Para se të mbyllet me zinxhir, ati Flavie kontrollon varrin për t’u siguruar që çdo pjesë e mbetjeve të është hequr - edhe një pjesë e vogël kocke mund të zbulojë diçka më shumë rreth të shtënave.

Erlinda shpreson që eshtrat e të birit të flasin; se ata do të japin drejtësi për familjet si ajo - mijëra prej tyre - që kanë humbur të dashurit e tyre në një “luftë të pamëshirshme kundër drogës” në Filipine.

Në krye të kësaj përpjekjeje janë atë Flavie dhe patologia mjeko-ligjore, Raquel Fortun, të cilët kanë bashkuar forcat për të mbledhur prova që një ditë mund të përdoren në hetimin gjyqësor për këto vdekje.

Image
Ati Flavie duke ngushëlluar familjen e njërit nga viktimat të luftës kundër drogës në Filipine

Mospërputhjet në autopsi

Ka pasur pak hetime dhe qeveria e Filipineve ka refuzuar qasjen ndaj hetuesve nga Gjykata Ndërkombëtare Kriminale (ICC), prokurori i së cilës fillimisht shprehu shqetësimin për vrasjet e lidhura me drogën në vitin 2016.

Megjithatë kjo nuk e ka penguar at Flavie apo doktoresha Fortun, të cilët shpresojnë se ajo që kanë gjetur mund të arrijë në ICC. Që nga korriku 2021, Fortun ka autopsinë e eshtrave të më shumë se 90 viktimave dhe ka zbuluar mospërputhje të shumta. Këto përfshijnë viktima me armë zjarri, certifikatat e vdekjes së të cilëve tregojnë se vdiqën për “shkaqe natyrore” dhe raporte të kopjuara që kanë pak të bëjnë me shkakun e vdekjes.

Qeveria e Filipineve vlerëson se më shumë se 6.252 njerëz janë vrarë nga policia dhe “sulmues të panjohur” që kur ish-presidenti Rodrigo Duterte shpalli “luftën kundër drogës” në vitin 2016, kur i fitoi zgjedhjet. Grupet e të drejtave thonë se numrat mund të arrijnë në dhjetëra mijëra.

Policia thotë se viktimat ishin shefa droge ose shitës, të cilët shpesh i vrisnin në “vetëmbrojtje” gjatë të shtënave me armë. Por shumë familje pretendojnë se djemtë, vëllezërit ose burrat e tyre ishin thjesht në vendin e gabuar në kohën e gabuar.

Fushata ishte e diskutueshme dhe tërhoqi kritika të mëdha ndërkombëtare, por ajo kishte mbështetësit e saj në një vend ku miliona njerëz përdorin drogë, kryesisht metamfetaminë, e njohur në vend si “shabu”.

Pasardhësi i Dutertes, Ferdinand Marcos Jr, ka premtuar qasje të ndryshme, më pak të dhunshme kur ai mori detyrën në 2022.

“Ne i kemi kapur shtytësit në shkallë të gjerë në vend që të ndjekim çdo përdorues, sepse mënyra se si e sheh presidenti - ky është një problem shëndetësor, një problem varësie”, thotë ndihmës sekretari në Departamentin e Drejtësisë, Jose Dominic Clavano.

Por Projekti Dahas në Universitetin e Filipineve regjistroi 342 vrasje të lidhura me drogën në vitin e parë të Marcos - 40 më shumë se në vitin e fundit të sundimit të Dutertes. Dhe ata thonë se rreth 40% e të vrarëve ishin përdorues dhe tregtarë të vegjël. “Kjo nuk është diçka që kjo qeveri e fal”, ka theksuar Calvano. Megjithatë, ajo që ai di është se janë kryer abuzime nga policia.

Te varrezat, dy trupa të tjerë zhvarrosen nën syrin vigjilent të atë Flavie. Ashtu si Felizardo, të dy burrat u qëlluan për vdekje në vitin 2019.

“Është shumë traumatike”, thotë atë Flavie zëpak. “Kjo nuk është një lloj vdekjeje normale, kështu që është e dhimbshme. Është e rëndë dhe disi të zemëron”.

Zhvarrosja e trupave

Qeveria e Dutertes kishte thënë se ata po shkonin pas shitësve, bosëve të drogës dhe atyre që i mbronin. Por kritikët thonë se viktimat, kryesisht meshkuj, ishin nga komunitetet më të varfra.

Shumë prej tyre janë varrosur në varre me qira. Nëse familjet e tyre nuk mund të përballojnë vazhdimin e qirasë, eshtrat hiqen dhe hidhen në varr të përbashkët. At Flavie ka vendosur që kjo nuk do të ndodhë me të dashurit e famullisë së tij.

Kështu, si pjesë e mbështetjes së tij të vazhdueshme për viktimat e luftës së drogës, ai organizon zhvarrosjen, djegien dhe më pas kthimin e hirit te familjet gjatë meshave kishtare.

Furgoni i funeralit që mbante tre trupat del nga varrezat e mëdha, duke iu shmangur fëmijëve të vegjël. Por së pari, ato mbetje kanë një tjetër takim.

Doktoresha Fortun po pret në morgun në Spitalin e Përgjithshëm të Filipineve, për të marrë trupat e sapo zhvarrosur.

Në një popullsi prej rreth 100 milionë banorësh, Filipinet kanë vetëm dy patologë mjeko-ligjorë - ajo është një prej tyre. Ajo u takua me atin Flavie kur filluan vrasjet e luftës kundër drogës.

“Dëgjova për planin që ata do të zhvarrosnin. Unë hyra brenda - më tregoni trupin. Kështu, ai filloi t’i sillte trupat” thotë ajo. “Shqetësimi im kryesor do të ishte: a ka plumba? Plumbat janë prova që mund të lidhin një viktimë me një armë dhe qëlluesin”.

Ajo ka mbajtur të gjithë plumbat që ka nxjerr nga trupat e të vdekurve deri tani. Nëse këto raste nuk dalin përpara një gjykate filipinase, Fortun shpreson që ICC-ja do të kërkojë raportet e saj të autopsisë të mbajtura me përpikëri - dhe plumbat.

“Unë me të vërtetë shpresoj që në një moment të arrijmë drejtësinë”, thotë ajo.

Më tej brenda morgut të spitalit, Fortun fillon ekzaminimin e mbetjeve të një të riu tjetër të dorëzuar së fundmi nga atë Flavie.

Ajo hap zinxhirin e çantës, duke zbuluar grumbull kockash - disa ende me inde të buta të ngjitura - dhe fillon të bëjë foto. “Tashmë po shoh fraktura në kokë”, tregon ajo, duke hequr disa flokë të gjatë e të zinj. “Kjo duket si vrimë plumbi - në anën e djathtë të kokës së këtij të riu”.

Ajo nxjerr nga çanta e trupit veshje që shpërbëhen - një këmishë të bardhë dhe pantallona të zeza.

“Ka një përpjekje nga familja për t’i dërguar ata në një mënyrë të veçantë… Pra, ata veshin një këmishë zyrtare - diçka që ndoshta nuk e kishin veshur kur ishin gjallë.

“E shihni, dhëmbët janë të mirëmbajtur shumë keq. Kjo do të thotë se ata vranë më të varfrit. Mos harroni se këta ishin njerëz dhe ata ishin të dashur”.

Image
Patologia Raquel Fortun duke analizuar mbetjet e një personi që u vra nga shteti i Filipineve

“Gërmimi i së vërtetës”

Fortun synon t’u kthejë familjeve sendet personale. Disa prej tyre shtangen.

“Ironi e ironive, kam pasur dy raste kur kishte mbetje të një byzylyku plastik nga fushata e Dutertes. Një nga gratë e burrave tha se burri i saj mendonte se mbajtja e këtij byzylyku do ta mbante më të sigurt, sepse ishte mbështetës i Dutertes”.

Më pas, Fortun heq kockat - këmbët, krahët, brinjët, kafkën - dhe i vendos ato në tabaka të mëdha argjendi. Punëtorët e morgut do t’i lajnë dhe do t’i shtrijnë në një tavolinë druri në pozicionin e duhur anatomik për studime të mëtejshme.

Në Filipine, autopsia nuk është automatike në rastet e vdekjes së dhunshme, megjithëse Fortun ka lobuar për ndryshim në ligj.

“Shkenca mjekoligjore kërkon të vërtetën dhe ndoshta ky është problemi – shumë filipinas nuk duan që e vërteta të dalë në shesh”. Është policia që është në krye.

“Ata bëjnë këqyrjen e vendit të ngjarjes, bëjnë ekspertizën mjeko-ligjore të trupit, laboratori i krimit është i tyre. Pra, çfarë rezultate dalin? Policia bën vrasjen dhe bën hetimin. Kështu ikin rastet me vrasje”.

Mbrojtësit e fushatës së Dutertes, përfshirë gjeneralin Ronald dela Rosa, i cili ishte shef i Policisë Kombëtare deri në vitin 2018, thanë se të dyshuarit për drogë nuk do të kishin vdekur nëse nuk do t’i bënin rezistencë arrestimit. Ai gjithashtu pretendoi se fushata kundër narkotikëve kishte arritur të reduktonte numrin e të varurve nga droga në vend.

Puna e Fortun është e mundimshme - përveç detyrave të saj si profesoreshë në Kolegjin e Mjekësisë dhe kryetare e Departamentit të Patologjisë në Universitetin e Filipineve. Do të kalojnë javë para se ajo të kompletojë raportet e saj për tri viktimat e sapozhvarrosura - përfshirë Felizardon.

Ai u qëllua për vdekje në një mbrëmje gushti 2019 pasi doli nga shtëpia për një porosi. Erlinda doli për të parë djalin e saj të shtrirë të përgjakur në tokë. Një nga dëshmitarët i tha asaj se vrasësi ishte i njohur - dukej si një polic.

“E pyeta atë dëshmitar - a jeni i gatshëm të dëshmoni? Por, natyrisht, dëshmitari tha jo. Nëse njerëzit shohin diçka të gabuar, ata duan t’i mbyllin sytë dhe të qëndrojnë larg telasheve të mundshme”.

 

Përktheu: Blerta Haxhiu