Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zhduket nga burgu krimineli më famëkeq i Ekuadorit

Qindra policë në Ekuador janë duke kërkuar për kriminelin famëkeq Adolfo Macias Villamar, liderin e bandës “Los Choneros”, i cili u zhduk të dielën nga qelia e tij e burgut, raporton “BBC”.

Villamar, i njohur me nofkën “Fito”, po mbahej në burgun e sigurisë së lartë në Guayaquil.

Policia ka thënë se ka vërejtur të dielën se ai nuk ishte në qeli dhe nuk ka mundur ta gjejë.

Villamar është lider i bandës famëkeqe “Los Choneros”, që mendohet se është prapa disa prej trazirave vdekjeprurëse nëpër burgjet e Ekuadorit në muajt e fundit.

Villamar dyshohet se ka luajtur rol edhe në vrasjen e vitit të kaluar të kandidatit presidencial Fernando Villavicencio. Ai i kishte dërguar atij kërcënime me vdekje.