Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zgjedhjet e 12 prillit – Orban merr mbështetjen e së djathtës ekstreme të Evropës

Viktor Orban

Foto: Associated Press

Udhëheqësja e së djathtës ekstreme të Francës, Marine Le Pen, e ka quajtur Viktor Orbanin “një lider të jashtëzakonshëm”, ndërsa ai i Holndës, Geert Wilders e ka përshkruar atë si “një luan në një kontinent të udhëhequr nga dele”, teksa figurat kryesore të së djathtës ekstreme në Evropë u rreshtuan në mbështetje të kryeministrit të Hungarisë përpara zgjedhjeve të 12 prillit, për të cilat sondazhet sugjerojnë se ai mund t’i humbasë.

“Hungria është bërë një simbol në Evropë i rezistencës së një populli krenar dhe sovran kundër shtypjes”, ka thënë Le Pen, udhëheqësja parlamentare e partisë “Tubimi Kombëtar” të Francës, në një takim të liderëve euroskeptikë në Budapest të hënën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Hungria e ka arritur këtë status nën udhëheqjen e askujt tjetër përveç kryeministrit Viktor Orban”, ka shtuar Le Pen, një nga favoritët për zgjedhjet presidenciale të Francës në vitin 2027 nëse ajo fiton apelin kundër një dënimi në një çështje korrupsioni.

Ajo vlerësoi “inteligjencën, guximin dhe vizionin” e Orbanit.

Ndërkaq Wilders, kreu i Partisë së Lirisë (PVV) të së djathtës ekstreme në Holandë, i ka thënë të ashtuquajturës Asamble e Madhe e Patriotëve – e emërtuar sipas grupit politik të nacionalistëve në Parlamentin Evropian, se Orbani “ka treguar çfarë do të thotë të qëndrosh i palëkundur”.

Kryeministri hungarez “e di se detyra e parë e një lideri është ndaj popullit të tij, jo ndaj elitave të largëta dhe sigurisht jo ndaj burokratëve të pazgjedhur të Brukselit”, ka thënë Wilders, partia e të cilit humbi ndaj partisë liberal-progresive D66, në zgjedhjet holandeze të vitit të kaluar.

Ai ka thënë se Hungaria është bërë “diçka e jashtëzakonshme” gjatë 16 vjetëve të Orbanit në pushtet. 

“Dhe kjo është arsyeja pse burokratët e Brukselit duan … një kryeministër tjetër. Një që përkulet. Një që bindet. Dhe një që nuk e vendos Hungarinë të parën”, ka shtuar ai.

Orban ka qenë prej kohësh në përplasje me BE-në për një sërë çështjesh, përfshirë sulmet ndaj shtetit të së drejtës. Në kundërshtim me Brukselin, ai ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Moskën, refuzon të dërgojë armë në Ukrainë dhe këmbëngul se Kievi nuk mund të bashkohet me bllokun.