Botë

Zelensky ua heq nënshtetësinë disa ish-politikanëve

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ua ka hequr nënshtetësinë disa ish-politikanëve me ndikim gjatë së shtunës, duke shënuar hapin e fundit për të pastruar vendin nga ndikimet pro-ruse, raportoi të dielën Reuters.

“Sot firmosa dokumentet përkatëse për të ndërmarrë një hap tjetër për të mbrojtur dhe pastruar shtetin tonë nga ata që janë në anën e agresorit”, tha Zelensky gjatë fjalimit të tij të natës.

Duke mos treguar emrat e tyre, Zelensky ka thënë se ata kishin shtetësi të dyfishtë, ukrainase dhe ruse.

Sipas mediave shtetërore ukrainase, lista përfshin disa politikanë të lartë nga zyra e Viktor Janukoviç, i cili shërbeu si president pro-rus i Ukrainës nga viti 2010 deri sa u hoq nga detyra në vitin 2014.

Lista përfshinte Dmytro Tabachnykun, ish-ministër i arsimit dhe shkencës, Andriy Klyuyevin, ish-zëvendëskryeministër dhe kreun e administratës së Yanukovychit dhe Vitaliy Zakharchenkon, ish-ministër i brendshëm, njoftoi agjencia e lajmeve RBC-Ukraine.

Ukraina u ka hequr shtetësinë ukrainase një numri njerëzish dhe ka sanksionuar qindra individë dhe firma ruse dhe bjelloruse që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit të kaluar.