Presidenti Volodymyr Zelensky u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të ndalojnë “së shikuari” dhe të ndërmarrin veprime për ta dënuar praninë e trupave të Koresë së Veriut në Rusi përpara se të shkojnë në fushëbetejë.
Zelensky, në një video të postuar në Telegram, ka thënë se Koreja e Veriut kishte bërë përparim në aftësitë ushtarake, vendosjen e raketave dhe prodhimin e armëve dhe “tani për fat të keq do të mësojnë luftën moderne”.
“Mijëra ushtarët e parë nga Koreja e Veriut janë afër kufirit ukrainas. Ukrainasit do të detyrohen të mbrohen kundër tyre”, tha ai. “Dhe bota do të shikojë përsëri”.
Zelensky u shpreh se Ukraina kishte identifikuar çdo vendndodhje ku ushtarët e Koresë së Veriut ishin vendosur në Rusi. Por aleatët perëndimorë të Kievit, shtoi ai, nuk i kanë furnizuar trupat ukrainase me armët me rreze të gjatë të nevojshme për t’i goditur ata, raporton Reuters.
“Por në vend të një furnizimi të tillë, Amerika shikon, Britania shikon, Gjermania shikon...”, deklaroi ai.
“Gjithkush në botë që me të vërtetë dëshiron që lufta ruse kundër Ukrainës të mos zgjerohet... nuk duhet thjesht të shikojë. Ata duhet të veprojnë. Fjalët për papranueshmërinë e përshkallëzimit dhe zgjerimit të luftës duhet të përputhen me veprime”.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka thënë të enjten se kishte 10 mijë trupa të Koresë së Veriut në Rusi, duke përfshirë deri në 8 mijë në rajonin jugor të Kurskut, ku forcat ukrainase nisën inkursion në gusht.
Ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut, Choe Son Hui i tha homologut të saj rus Sergei Lavrov të premten se vendi i saj do ta mbështeste Rusinë derisa të arrijë fitoren në luftën në Ukrainë.