Botë

Zelensky paralajmëron “katastrofë bërthamore” nga Rusia

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, deklaroi se Rusia e ka vënë botën në prag të një katastrofe bërthamore, raportoi “TheGuardian” të mërkurën.

Në përvjetorin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Zelensky u shpreh në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, se ushtria ruse e ka kthyer centralin më të madh bërthamor në Evropë, atë në Zaporizhzhia, në një zonë lufte.

“Është fakt që ushtria ruse e ka kthyer në zonë lufte territorin e centralit bërthamor më të madh në Evropë. Rusia duhet t’i ndalojë pa kushte shantazhet bërthamore dhe të tërhiqet plotësisht nga stacioni bërthamor”, tha ai.

Centrali bërthamor i Zaporizhzhias, i ndërtuar në epokën sovjetike, është reaktori më i madh në Evropë. Territori pranë tij po kontrollohet nga trupat ruse që nga marsi, megjithëse objekti ende menaxhohet nga shkencëtarët ukrainas.

Autoritetet ukrainase deklaruan javën e kaluar se ekziston frika që Rusia ta mbyllë njësinë funksionale të energjisë në central, i cili në gjendje normale siguron rreth 1/5 e energjisë elektrike të tërë Ukrainës.

Presidenti Zelensky deklaroi ditë më parë se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike duhet ta marrë kontrollin e përhershëm të centralit në Zaporizhzhias.