Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të mërkurën se ka biseduar në telefon me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ai ka theksuar se kanë diskutuar rreth hapave të përbashkët e nevojës për të rritur presionin ndaj Rusisë në mënyrë që t’u hapet rrugë bisedimeve të paqes, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.
“Është e rëndësishme që të gjitha vendimet të koordinohen. Pastaj sanksionet do të funksionojnë. Nëse s’ka presion mbi Moskën, paqja e drejtë s’mund të arrihet. Që të gjithë e kuptojnë këtë”, ka shkruar Zelensky në rrjetin social Telegram.
Lideri ukrainas u ka bërë thirrje të vazhdueshme aleatëve evropianë gjatë dy ditëve të fundit që të ushtrojnë më shumë trysni mbi Rusinë, pas bisedës telefonike të zhvilluar të hënën mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Për Ukrainën dhe aleatët e saj, të cilët kanë kaluar muaj të tërë duke u përpjekur që të fitojnë mbështetjen e administratës Trump në lidhje me kauzën e tyre, biseda telefonike e presidentit amerikan me Putinin i ka kthyer gjërat në pikën zero.
Presidenti amerikan hoqi dorë nga këmbëngulja e tij e mëparshme për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor, nga i cili shpresonte se do të fillonin bisedimet e gjata dhe të mundimshme të paqes.
Trumpi pati sinjalizuar gjithashtu se lufta që dikur kishte premtuar ta përfundonte brenda 24 orëve nuk ishte më përgjegjësi e tij, mesazh ky që e lë Ukrainën të pambrojtur dhe aleatët e saj të shqetësuar.