Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se e ardhmja e sigurisë evropiane është duke u vendosur tash në Ukrainë.
Zelensky ka folur sot në një konferencë për media në Kiev, raporton CNN. Ai ka folur përkrah liderëve të Polonisë e Lituanisë.
“Ne jemi unik në vlerësimin për krimet e Federatës Ruse. Ky është një akt tjetër i agresionit kundër Ukrainës, sovranitetit të saj dhe integritetit të saj territorial”, ka thënë Zelensky.
Zelensky ka bërë thirrje për sanksione të ashpra kundër Rusisë.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, të martën ka thënë se SHBA-ja do të sanksionojë institucionale financiare të Rusisë dhe oligarkët. Po ashtu sanksione ndaj Rusisë kanë vendosur Britania e Madhe, Bashkimi Evropian, Kanadaja, Australia dhe Japonia.
“Prezenca ushtarake e Federatës Ruse në territorin e okupuar të Donbasit ishte fshehur prapa uniformave separatiste. Dhe tash shohim një largim të njëanshëm nga marrëveshjet e Minskut”, ka thënë Zelensky.
Zelensky ka bërë thirrje që të ndalohet tërësisht projekti i gazjellësit Nord Stream.
“Ne duhet të ndalojmë plotësisht projektin Nodr Stream, që është armë që po përdoret kundër Ukrainës e Evropës”, ka thënë Zelensky. “Reagimi i komunitetit ndërkombëtar ndaj këtij krimi duhet të jetë vendimtar, i menjëhershëm dhe i ashpër”.
Të martën, Gjermania ka pezulluar certifikimin e projektit 11 miliardë dollarë të gazjellësit që e lidh Rusinë direkt me Gjermaninë. Projekti Nord Stream 2 u kompletua në shtator, por ende nuk ka marrë dritën e gjelbër nga rregullatorët gjermanë.
E presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, duke qëndruar pranë Zelensky sot në konferencë për media ka thënë se Polonia dënon vendimin e Putinit për të njohur Donetzkun e Luhanskun.
“Ne të gjithë jemi duke ecur nëpër një rrugë të ngushtë mes paqes dhe luftës. Polonia dënon vendimin e Putinit për njohjen”, ka thënë Duda.