Zelanda e Re e ka shpallur të eliminuar koronavirusin dhe do të heq gjitha masat kufizuese me përjashtim të kontrolleve kufitare, ka njoftuar kryeministrja Jacinda Ardern të hënën, shkruan agjencia Reuters.
Është shteti i parë që ka marrë një masë të tillë.
Ngjarjet publike dhe private, transportet publike dhe gastronomitë mund të kthehen në normalitet, pa rregullin e distancës sociale që është ende në fuqi në pjesën më të madhe të botës, ka thënë Ardern, njofton KOHA.
“Derisa puna ende nuk ka mbaruar, nuk ka dyshim se është një arritje e madhe. Faleminderit, Zelandë e Re”, ka thënë Ardern. “Ne jemi të bindur se për tash kemi eliminuar përhapjen e virusit në Zelandë të Re. Por, eliminimi është një përpjekje e vazhdueshme”.
Shteti në Oqeani me rreth pesë milionë banorë po del nga pandemia ndërsa ekonomitë e mëdha si SHBA-ja, Brazili, Britania e India ende po luftojnë për të parandaluar përhapjen.
Kjo është si rrjedhojë e masave strikte kufizuese që kanë zgjatur për 75 ditë. Shumica e bizneseve ishin mbyllur gjatë kësaj kohe, ndërsa të gjithë, me përjashtim të punëtorëve esencial është dashur të qëndrojnë në shtëpi.
“Sot, 75 ditë më vonë, ne jemi të gatshëm”, ka thënë Ardern në konferencë për media, duke njoftuar se do të heq dorë nga kufizimet e distancës sociale në mesnatën e të hënës duke kaluar nivelin e alarmit nacional nga shkalla 1 në atë 2.
Kontrollet kufitare do të mbesin dhe të gjithë që hyjnë në vend do të testohen, ka thënë Ardern.
Nuk ka raste aktive në Zelandë të Re për herë të parë që nga rasti i pari në fund të shkurtit, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë. Zelanda e Re ka raportuar 1154 të infektuar dhe 22 të vdekur.
Zelanda e Re ishte përkushtuar ta eliminonte virusin, e jo vetëm ta frenonte. Kjo nënkupton ndalimin e përhapjes për një periudhë të gjatë pas rastit të parë të njohur, e po ashtu të qenit gati për të zbuluar shpejt dhe izoluar çdo rast që vjen nga jashtë.
Zelandezët nëpërmjet Twitterit i janë gëzuar heqjes ë kufizimeve. Tifozët e ragbit në veçanti po shikojnë para që të jenë prezent në stadium për ndeshjet e para të kampionatit vendor këtë fundjavë.
Ardern ka pranuar se ka bërë një “vallëzim të vogël” kur i është thënë se më nuk ka raste aktive me COVID-19 në Zelandë të Re, duke befasuar vajzën e saj dyvjeçare Neve.
“Ajo u befasua pak dhe u bashkua në vallëzim”, tregon Ardern.
Ardern 39-vjeçare ka fituar adhurimin global me mënyrën se si ka menaxhuar pandeminë dhe popullariteti i saj është rritur dukshëm në muajt e fundit. Ajo është në rrugë të mbarë për të fituar mandatin e dytë në zgjedhjet e shtatorit.
Mirëpo, puna e saj është të ringjallë ekonominë tash. Partitë opozitare e kanë kritikuar Ardernin që e ka mbajtur vendin e mbyllur për aq gjatë, ndonëse nuk kishte raste të reja me koronavirus në vend për afro dy javë.
“Ne duhet të lëvizim më kujdesshëm. Asnjëri nuk dëshiron të rrezikojë përparimin që ka bërë Zelanda e Re”, ka shtuar Ardern.