Me shumë pak raste të reja ditët e fundit dhe vetëm një rast të dielën, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka deklaruar të hënën që koronavirusi është eliminuar ‘’momentalisht’’.
Megjithatë, zyrtarët në këtë shtet kanë paralajmëruar se kjo nuk do të thotë fundi i rasteve me koronavirus.
Ky lajm është bërë i ditur pak orë para se Zelanda e Re të zbusë masat e kufizimeve shoqërore.
Nga dita e martë, disa biznese do të rihapen në këtë shtet, ashtu si edhe shkollat, raporton BBC, transmeton KOHA.
Megjithatë, shumicës së njerëzve do t’u kërkohet të rrinë në shtëpi dhe të shmangin kontaktet me njerëz të tjerë.
Edhe
Zelanda e Re raporton 14 raste të reja me koronavirus
‘’Ne po e hapim ekonominë, mirëpo nuk jemi duke i hapur jetët sociale të njerëzve’’, ka thënë Ardern gjatë një mbledhjeje të qeverisë.
Zelanda e Re ka pasur rreth 1.500 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 19 vdekje.
Drejtori i përgjithshëm i Shëndetësisë në Zelandën e Re ka thënë se numri i ulët i rasteve ditët e fundit “na jep besim se kemi arritur qëllimin e eliminimit’’. Ai ka paralajmëruar se ‘’eliminimi’’ nuk do të thotë që nuk do të ketë raste të reja, por që do ta dinë burimin e rasteve të tjera.
‘’Nuk ka pasur transmetim të gjerë në komunitet në Zelandën e re. Ne e kemi fituar atë betejë’’, ka thënë kryeministrja Ardern.
Mirëpo, shteti duhet të jetë i kujdesshëm “në qoftë se dëshirojmë ta mbajmë këtë ritëm”.
Zelanda e Re ka zbatuar disa nga masat më të rrepta në botë sa i përket udhëtimit dhe aktiviteteve të ndryshme, që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit. Masat janë ndërmarrë pothuajse menjëherë pas rasteve të para.
Ky shtet i ka mbyllur kufijtë dhe ka kërkuar izolimin e të gjithë njerëzve që hynin në Zelandë, duke zhvilluar testime në masë dhe gjurmim të hollësishëm të kontakteve.
Plazhet dhe sheshet e lojërave janë mbyllur më 26 mars, së bashku me zyrat e ndryshme dhe shkollat. Kafenetë dhe restorantet gjithashtu janë mbyllur, derisa nuk janë lejuar as porositë ushqimore.
EdheArdern ka thënë se Zelanda e Re ka mundur t’i ketë më shumë se 1.000 raste në ditë, po të mos zbatoheshin masat që në fillim të pandemisë.
Qeveria e Zelandës të re është përgëzuar për menaxhimin e pandemisë.