Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zbulohet veprimi i Putinit pas shpërthimit në urën e Krimesë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar të shtunën shërbimin e inteligjencës, FSB, që të forcojë sigurinë e urës që lidh Rusinë me Krimenë, si dhe infrastrukturën për furnizimin me energji elektrike dhe gaz të gadishullit, pas shpërthimit të mëngjesit të sotëm ku vdiqën tre persona.

Në një dekret që nënshkroi pak orë pas shpërthimit në urë, Putin ka thënë se shërbimi i sigurisë FSB do të ishte përgjegjës për forcimin e masave mbrojtëse, raporton Reuters.

Shpërthimi në urën e Kerçit, një objekt strategjik i rëndësishëm rrugor dhe hekurudhor që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë, të shtunën ia shembi një pjesë. 

Rusia pushtoi Krimenë në vitin 2014 dhe ura 19 kilometra e gjatë, e cila lidh gadishullin me rrjetin rrugor dhe hekurudhor të Rusisë, u hap me një festë të madhe nga Putini katër vjet më vonë, duke drejtuar një kamion.

Ura e Kerçit është një rrugë e rëndësishme furnizimi për forcat ruse që kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të rajonit Kherson në Ukrainën jugore.